Transmetuar më 25-11-2013, 13:53

Shkup, 25 nëntor 2013, NOA.al – Partitë politike në Maqedoni po përgatiten për zgjedhje të parakohshme parlamentare në pako me ato presidenciale.

Dy partitë më të mëdha maqedonase VMRO-DPMNE në pushtet dhe opozita e kryesuar nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) po zhvillojnë fushatë indirekte nëpër zona të ndryshme të vendit, duke promovuar projekte dhe programe.

Siç raporton gazetari i Noa.al në Maqedoni Naser Pajaziti, VMRO-DPMNE e kryesuar nga lideri dhe kryeministri Nikolla Gruevski ka promovuar disa projekte qeveritare në pjesën lindore dhe verilindore të vendit, duke premtuar edhe projekte tjera në infrastrukturë, ekonomi, shëndetësi, arsim dhe fusha të tjera.

Ndërsa LSDM gjithashtu është lëshuar në terren ku po promovon para qytetarëve programin e saj të ri me moton “për rikthimin e klasës së mesme qytetare”, që përmban pako sociale dhe ekonomike për siç thuhet përtëritjen e vendit.

Nga ana tjetër, partitë shqiptare BDI dhe PDSH janë më pak aktive në terren sa i përket

takimeve me qytetarët dhe shpalosjes së projekteve të tyre, në rast se do të mbahen zgjedhje të parakohshme.

BDI do të jetë më aktive në ngjarjet e shënimit të përvjetorit të 28 Nëntorit, ndërsa PDSH ka lëshuar disa mesazhe politike përmes liderit të saj Menduh Thaçi në takimet e zgjedhjeve të forumeve rinore të kësaj partie.

Qëndrimi i qartë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të qartësohet pas vendimit të këshillit të Evropës, në samitin e dhjetorit kur do të vendoset që vendi të sigurojë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim, apo do të pësojë fatin e njëjtë të bllokimit dhe zvarritjes së procesit të eurointegrimeve, për shkak të moszgjidhjes së kontestit të emrit. Në rast se do të vendoset për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, atëherë ato do të mbahen në pako me ato të rregullta presidenciale, që sipas afateve kohore zgjedhore do të duhet të mbahen në muajin mars ose prill./n.p/a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit