

Para ndeshjes me Ajaxin në Amsterdam, drejtori sportiv i Barcelonës foli në lidhje me kontratën e re të Iniestas, si dhe për çështje të tjera të ditës, te klubi blaugrana, citon Supersport.
“E kam thënë se, rinovimi i Iniestas do të ishte një dhuratë e bukur për Krishtlindje, por të presim çfarë do të ndodhë. Te kjo pikë jemi të gjithë dakord”. Por çfarë mendon Andoni Zubizarreta në lidhje me dëmtimet dhe situatën e Pintos.
“Nuk duhet të ankohemi për lojtarët e dëmtuar. Ia kam thënë këtë edhe Martinos. Për Pinton mund të them që ka një kontratë dhe është lojtar i Barçës. Duhet të flasim për të tashmen dhe jo të ardhmen”.
Mbi zërat për largimin e mundshëm të sulmuesit të talentuar 17-vjeçar, Sanabria, Zubizarreta tha se klubit nuk i është komunikuar asgjë nga agjenti i tij, dhe për momentin lojtari ka një kontratë që e mban të lidhur me Barcelonën. Debutimin e Adama, drejtuesi i blaugranave e vlerësoi, por tha se sulmuesit duhet t’i jepet kohë, pasi është ende i ri.
Ndeshja e radhës për katalanasit është me Ajaxin, megjithatë Zubizarreta refuzon të pranojë se ka një kompeticion të cilit i jepet më shumë prioritet nga Barcelona. “Ndoshta tregojmë më shumë kujdes në La Liga, meqë në Champions po ecim mjaft mirë, por nuk kemi ndonjë prioritet. Do të luajmë me kujdes në Amsterdam, ku besoj se na pret një ndeshje e bukur me Ajaxin”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





