

Prefekti i Fierit, Xhevit Bushi, i kërkoi sot ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe atij të Energjetikës, Damian Gjiknuri, ngritjen e një grupi hetimor, lidhur me shkaqet e shpërthimeve në zonën naftëmbajtëse të Fierit, administruar nga kompania kanadeze “Bankers Petrolium”.
Prefekti i Fierit, Xhevit Bushi, vizitoi qendrat e banuara të prekura nga tërmeti apo (shpërthimet), sikurse pretendojnë banorët, dhe i premtoi atyre se do të merren të gjitha masat për zgjidhjen përfundimtare të problemit të tyre.
Bushi bëri me dije se i ka dërguar Ministrit Tahiri dhe Ministrit Gjiknuri një shkresë zyrtare, ku u kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të hetuar rreth shkaqeve të shpërthimeve të vazhdueshme në zonën naftëmbajtëse të Marinzës.
Gjithashtu, institucioni i Prefekturës ka bashkërenduar punën me Këshillin e Qarkut dhe njësitë vendore dhe kanë ngritur grupet e punës për verifikimin dhe vlerësimin e dëmit në terren.
“Ne jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund këtij problemi që është bërë gangrenë për komunitetin e kësaj zone, duke bërë transparente gjithë aktivitetin e kompanisë Bankers, si dhe shkallën e përgjegjësisë nga ana e saj, lidhur me lëkundjet sizmike në territorin e naftëmbajtëses Patos-Marinëz”, tha Bushi i cituar sot nga ATA.
Dy ditë më parë, në rajonin e Fierit, në zonën naftëmbajtëse, u regjistruan lëkundje të tokës, të cilat zyrtarisht u cilësuan si tërmet, me amplitud 4 ballë, të shkallës rihter.
Banorët e Roskovecit, Zharrzës, Kumanit, Marinzës dhe Belinës protestuan duke akuzuar kompaninë “Bankers” si shkaktaren e këtyre shpërthimeve.
Ata i kërkuan institucioneve vendore pezullimin e aktivitetit të kompanisë, deri në zbardhjen shkencore të shpërthimeve.
"Për ne e vërteta është si drita e diellit dhe ne po presim që Qeveria të ndërhyjë ligjërisht për zgjidhjen e problemit dhe të detyrojë kompaninë kanadeze të respektojë rregullat e mbrojtjes së mjedisit, sigurimit të jetës dhe shëndetit tonë", thanë banorët.
Ata kërkuan që nga ana e kompanisë të respektohet legjislacionin shqiptar dhe të ruhen standardet shkencore në shfrytëzimin e vendburimeve të naftës dhe gazit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





