Transmetuar më 23-11-2013, 12:12

Tiranë, NOA.al – Pas ashpërsimit të masave për krimin në familje, të cilat janë sanksionuar në Kodin Penal, Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë tashme vendimin e saj të parë.

Kështu, Gjykata e Krimeve të rënda dënoi të premten me 35 vite heqje lirie, shtetasin Ersnik Gjoshin, për akuzën e vrasjes se bashkëjetueses se tij, Anxhela Hado në korrik të këtij viti në banesën ku jetonte çifti në fshatin Hekal të kryeqytetit.

Ky është vendimi i parë që një gjykatë në vendin tonë merr pas ashpërsimit të dënimeve në Kodin Penal.

Sipas hetimit të prokurorisë, i pandehuri Gjoshi akuzohet se ka qëlluar me thikë për vdekje bashkëjetuesen e tij, pas një zënkë e fortë mes tyre për arsye xhelozie..

Faktikisht, i pandehuri u dënua me burgim të përjetshëm, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai u dënua me 35 vjet burg.

Ndryshimet ne Kodin Penal, të cilat kanë ashpërsuar masat e dënimit për krimet në familje, u miratuan pak kohe me parë me konsensus në Parlament.

Me këto ndryshime, janë ashpërsuar dënimet edhe për vepra penale si armëmbajtje pa leje (deri në 10-të vite heqje lirie), për personat që kryejnë më shumë se njëherë të njëjtin krim, apo personave që mundohen ta fshehin atë, për personat e akuzuar për vrasjen e punonjësve të policisë etj.

Para dhënies së vendimit, avokati kërkoi nga gjykata të përjashtojë nga dënimi penal klientin e tij, duke pretenduar se ai vuan nga çrregullime mendore. Por, prokurori e kundërshtoi këtë pretendim, duke kërkuar dënimin e tij maksimal.

Ky vendim, i dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, është i pari pas ashpërsimit të dënimit në rastet e vrasjes në familje. 28-vjeçari u akuzua për vrasjen me thikë në zemër të bashkëshortes së tij 17-vjeçare, Anxhela Hado, ngjarje e ndodhur në fund të muajit korrik të këtij viti.

Që në momentet e para të krimit, Gjoshi është shfaqur i penduar për ngjarjen e rëndë në banesën e çiftit, në fshatin Hekal të Tiranës. “Jam i penduar. Jeta ime nuk ka më kuptim. Nuk doja të ndodhte kjo”, është shprehur 28-vjeçari që në seancën e parë pas arrestimit.

Prokuroria, ndërkaq paraqiti ngjarjen sipas hetimeve të saj, duke relatuar se në biseda me të afërmit dhe në një letër të shkruar para ngjarjes, autori i krimit kishte paramenduar diçka.

Letra mësohet se i është dhënë prokurorisë nga të afërmit e Ersnik Gjoshit. Letrën mendohet se ai e ka shkruar dy ditë para vrasjes. “Të kam dashur, por nuk e shprehja. Dua të bëhem më mirë, i lutem Zotit të jem i fortë dhe i guximshëm. Doktorët më shkatërruan, se nuk e dinin që kisha alergji. Por Zoti do të bëjë gjënë më të bukur, do të më shërojë. Të lutem o Zot, prania ime mbi ty është dashuria ime, dhe të dua me gjithë shpirt, ndaj jam i mërzitur”, ka shkruar 27-vjeçari.

Ndërkohë, përmes avokatit të tij, Ersnik Gjoshi, ka paraqitur një alibi, sipas së cilës nismëtarja e konfliktit të dhunshëm kishte qenë viktima Anxhela Hado.

Sipas të dhënave, Gjoshi dhe Hado kishin pasur disa konflikte, ndërkohë që i fundit kishte ndodhur për shkak të ankesave mbi shëndetin. Anxhela, me të cilën Ersniku ishte martuar vetëm një vit para ngjarjes, nuk e besonte se ai vuante nga ndonjë sëmundje. Madje, këtë bindje të sajën ajo e mbështeste edhe te rezultatet e analizave dhe vizitave mjekësore që Ersniku kishte kryer te mjekë të ndryshëm.

Në të gjitha rastet, gjendja e tij shëndetësore kishte qenë e mirë. Pavarësisht këtyre rezultateve, Ersnik Gjoshi ka vijuar të ankohet nga probleme të ndryshme shëndetësore, në trup apo dhimbje në kokë. Madje, ajo i kishte thënë disa herë se ai nuk ishte fare i sëmurë, por se vetëm hiqej si i tillë. Ky reagim i saj dyshohet se ka shkaktuar edhe reagimin e dhunshëm të bashkëshortit, tashmë i dënuar për vrasjen e saj.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit