





Tiranë, 22 nëntor 2013, NOA.al- Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro Furxhi, priti në takim Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Memli Krasniqi.
Ministrja Kumbaro, pasi falenderoi homologun e saj për vizitën ka shprehur vlerësim për punën e deritanishme të Ministrisë së Kulturës së Kosovës, me objektiva të qarta dhe të përcaktuara për ruajtjen dhe afirmimin e identitetit kombëtar dhe kulturor.
Ajo u shpreh se marrëdhëniet mes dy ministrive duhet “Të shënojnë një epokë të re të bashkëpunimit kulturor, të përkthyera në aksione konkrete. Ajo për të cilën duhet të punojmë është krijimi i një strategjie të përbashkët kulturore”.
Ministri Krasniqi u shpreh se “Bashkëpunimet kulturore kanë qenë të mira, si në rastet e shkëmbimeve të aktiviteteve në muaj të përbashkët kulturorë, apo dhe në bashkëpunime individuale artistësh, por vlen të theksohet se kanë mbetur në bashkëpunime të fragmentarizuara të qëllimit. Ajo për të cilën duhet të punojmë është krijimi i një kornize bashkëpunimi, që do t’i vlejë artit, kulturës dhe vlerave tona të përbashkëta. Unë besoj fort se kushtrimi ynë është i përbashkët, po ashtu edhe sfidat tona janë të përbashkëta”.
Temat kryesore të diskutimit ishin:
1.Hartimi i një kalendari të përbashkët kulturor, jo në një muaj, në një javë, por gjatë gjithë vitit, mes institucioneve të kulturës të dy vendeve tona në fushën e teatrit, operas, baletit, librit, etj.
2.Hartimi i një platforme për trashëgiminë kulturore, me qëllimin e ndërtimit të nismave të përbashkëta bashkëpunimi për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
3. Harmonizimi i legjislacionit në fushën e artit dhe kulturës, në kuadër të BE-së dhe përvojës së dy vendeve. Qëllimi i këtij harmonizimi bëhet me synimin e shmangies së barrierave ligjore për një qarkullim të lirshëm të artistëve, artit dhe kulturës së përbashkët.
Në takim u theksua domosdoshmëria e punës së dy ministrive deri në takimin e madh të përbashkët në muajin janar 2014, ku këto propozime dhe ide të përkthehen në plane dhe veprimtari konkrete.
Të dy ministrat ishin të gatshëm të bashkëpunojnë për krijimin e një hapësire kulturore mbarëshqiptare, e mbështetur institucionalisht, ku hapësirat kulturore të trajtohen me disa qendra, por të unifikuara.
Në përfundim të takimit Ministrja Kumbaro Furxhi i dhuroi homologut të saj veprën e botuar të prof. Eqerem Çabej “Meshari” i Buzukut, studim kritik i cili pa dritën e botimit pas 45 vitesh. Ministri Krasniqi i dhuroi Ministres Kumbaro Furxhi instrumentin më të hershëm muzikor të Kosovës-okarinën, punuar nga mjeshtri Shaqir Hoti, i cilësuar edhe okarina e artë e melodisë popullore, legjenda e gjallë e fyellit, kavallit, bishtnicave./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





