

Manastir, 22 nëntor 2013, NOA.al – Në Maqedoni shënohet sot 105 vjetori i Kongresit të Alfabetit Shqip, me aktivitetet kryesore në qytetin e Manastirit.
Nën kujdesin e Qeverisë do të organizohet një manifestim me aktivitete të posaçme në Manastir. Zëvendëskryeministri Musa Xhaferri pasdite do të vizitojë Muzeun e Kongresit të Alfabetit në Manastir, ndërsa në kuadër të kësaj vizite do të jetë e pranishme edhe ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro.
Në Shkup, Instituti për Trashëgimi Kulturore të Shqiptarëve ka organizuar aktivitete me rastin e 22 Nëntorit, ditës së Alfabetit.
Ky përvjetor i Alfabetit e ka gjetur Shkupin gjithashtu në një atmosferë festive, në prag të 101 vjetorit të Flamurit dhe Pavarësisë së shtetit shqiptar. Me rastin e festës së alfabetit, mesazhe urimi kanë dërguar presidenti maqedonas, kryeministri dhe personalitete tjera të jetës politike e shoqërore.
Në Manastir do të zhvillohet pasdite një takim midis zëvendëskryeministrit të Maqedonisë, Musa Xhaferri dhe ministres së Kulturës të Shqipërisë, Mirela Kumbaro. Ndërsa në mbrëmje, në Pallatin e Kulturës në këtë qytet do të mbahet Akademi Solemne me rastin e kësaj dite, në organizim të Muzeut të Alfabetit mbështetur nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë.
Aktivitete për shënimin e Ditës së Alfabetit Shqiptar janë organizuar edhe nëpër komunat e tjera shqiptare, kryesisht aktivitete nëpër shkolla dhe institucione kulturore dhe arsimore. 22 Nëntori është festë shtetërore për shqiptarët në Maqedoni dhe ditë pushimi./n.p/a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





