Transmetuar më 20-11-2013, 16:06

Tiranë, 20 nëntor 2013, NOA.al- Në repartin ushtarak në Qafë-Mollë është zhvilluar sot një ceremoni me rastin e përfundimit me sukses të fazës së parë të projektit të ripaketimit të lëndëve kimike.

Në këtë ceremoni ishte e pranishme ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Rauning, ambasadori i Republikës Çeke, Bronislava Tomasova, ambasdori i Spanjës, Rafael Tormo Perez, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të Zyrës së CUBIC, si dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, në fjalën e saj theksoi se, realizimi i projektit shënon një arritje tjetër në bashkëpunimin e frytshëm midis OSBE-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Duke folur më tej mbi rëndësinë e këtij projekti, ministrja Kodheli u shpreh se, në më pak se dy muaj OSBE-ja dhe Ministria e Mbrojtjes përfunduan projektin, i cili synonte ripaketimin e materialeve të rrezikshme të gjendura në vende të ndryshme, si në Shkozet, Poliçan, Laboratorin Ushtarak në Tiranë, Gramsh, Elbasan dhe Qafë Mollë. “Këto produkte të rrezikshme, në një sasi rreth 100 ton, që nuk i përkasin vetëm FA-së, janë ripaketuar në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe janë të sigurta për t’u eksportuar dhe shkatërruar”, – është shprehur ministrja Kodheli.

Më tej, ajo theksoi se ky proces vazhdon të jetë një prioritet i rëndësishëm i Ministrisë së Mbrojtjes.

Ndërsa ambasadori i OSBE-së Rauning bëri të ditur se ky projekt, me planifikimin, zbatimin dhe rezultatet e tij, përbën një shembull të besimit reciprok dhe bashkëpunimit efektiv midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Prezencës së OSBE në Tiranë.

“Aktualisht OSBE-ja po kërkon një fond shtesë prej 250 mijë euro për t’i transportuar kimikatet tashmë të paketuara në mënyrë të sigurt për t’u shkatërruar në impiantet e asgjësimit të kimikateve jashtë Shqipërisë. Këtë javë, disa ekspert nga Vjena do të vijnë në Shqipëri për të ndihmuar që të përgatisim fazën e dytë të projektit”, – është shprehur ambasadori Rauning. /a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit