

Trajneri i Kroacisë, Niko Kovac, i cili zëvendësoi Igor Stimac para se të luhej faza Play-Off e Brazil 2014, i ngazëllyer me kualifikimin në botëror, përgëzoi futbollistët e tij për këtë arritje, për pasionin me të cilin u përballën në sfidën e dyfishtë me Islandën.
"Atë që kërkova para disa ditësh, e pashë në këtë sfidë të dytë me Islandën. Dallova pasionin në sytë e futbollistëve të mi dhe kur ishim në dhomat e zhveshjes në pushimin mes pjesëve, i binda që do të dilnim fitues.
E dija se do të ishte e vështirë, por ne zhvilluam një ndeshje të mrekullueshme, Përgëzoj veten dhe djemtë e mi.”
Duke analizuar takimin e stadiumit "Maksimit", Kovac e pranoi se Islanda nuk e kishte cilësinë për të shënuar në portën e Pletikosas, citon Supersport.
"Në Islandë luftuam shumë dhe patëm shanset tona. Të njëtën gjë bënë edhe kundërshtarët tanë, por nuk kishin cilësinë e duhur për të thyer mbrojtjen tonë. E dinim se do të luanin me topa të gjatë, duke shpresuar se do të gjenin golin.”
Për 42-vjearin, kualifikimi në botëror duhet të jetë vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë dhe të suksesshëm. "Dua t’u vë notë maksimale futbollistëve të mi. Ata dhanë më të mirën e tyre, dhe kur kjo ndodh, vjen gjithmonë fitorja.
Më parë ata kishin luftuar shumë individualisht, por jo si skuadër. Shpresoj që të vazhdojmë të luajmë në këtë mënyrë. Kemi pak kohë për t’i rregulluar gjërat dhe shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi për ne".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





