

Humbja 1-0 me Gjermaninë në miqësoren e Uemblit, e ka lënë shumë të zhgënjyer trajnerin e Anglisë, Roy Hodgson, i cili e pranoi se skuadra e tij nuk shfaqi cilësitë që ka. 66-vjeçari nuk besonte se tifozët do të largoheshin të zhgënjyer, pasi nuk prisnin disfatën e dytë radhazi në shtëpi, e shkaktuar nga një gol i Mertesaker në minuën e 39, citon Supersport.
"Jam shumë i zhgënjyer nga humbja, sepse ishte e dyta radhazi në shtëpi. Gjermania ishte dukshëm më mirë se ne në pasime si dhe në konkludimin e aksioneve. Në ishim të shpërqendruar në zonën tonë.
Zhgënjimi ishte i dyfishtë, në radhë të parë ne nuk treguam cilësitë që kemi, ndërsa zhgënjimi i dytë ka të bëjë me faktin se 150 000 njerëz u kthyen në shtëpi të mërzitur." Në përfundim të takimit nuk munguan vërshëllimat e publikut, që nuk panë asnjë goditje në kuadrat përveç shtyllës së Andros Townsend.
"Është gjithmonë zhgënjyese kur vërshëllehesh nga tifozët. Ne nuk dëshironim këtë, por duartrokitjet i merituam në sfidat me Malin e Zi dhe Poloninë. Për t’i fituar duartrokitjet duhet të të luajmë më mirë dhe t’i fitojmë ndeshjet, por ne nuk e bëmë këtë, duke i zhgënjyer 85 mijë personat që ishin në stadium."
Ndryshe nga Hodgson, trajneri i Gjermanisë Joakim Low është shumë i kënaqur me fitoren, por mendon se futbollistët e tij duhet të kishin shënuar më shumë gola. “Suksesi në këtë stadium mitik na gëzon shumë. Ne meritonim të fitonim për gjithçka dhamë gjatë 90 minutave.
Ndoshta duhet të ishim më rezultativë në rastet që na u krijuan, sidomos në pjesën e dytë. Ne duhet ta kishim mbyllur ndeshjen më shpejt. Do të shkojmë në Kupën e Botës me besim te vetja.
Futbollistët që unë provova ndaj Anglisë, duhet të jenë krenarë që e përballuan presionin e tifozëve." Low rezervoi fjalët më të mira për mbrojtësin Mertesaker, që vendosi takimin me një goditje të saktë me kokë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





