

Shkup, 19 nëntor 2013, NOA.al – Kamerat do të ndjekin dhe regjistrojnë incidentet e dhunshme, që së fundi janë rikthyer nëpër rrugët dhe autobusët urban në Shkup.
Ndërmarrja e Transportit Publik në Shkup ka sjellë vendim që të instalohen kamera me
regjistrues gati në të gjithë autobusët dhe të rritet numri i kontrolluesve nëpër autobusët urban, sidomos në zonat që janë problematike. Drejtori i kësaj ndërmarrje, Misho Nikolov ka theksuar se tani është procedura për furnizime me kamera regjistruese të cilat do të mund të konfirmojnë autorët e incidenteve.
Siç raporton gazetari i Noa.al në Shkup Naser Pajaziti, incidentet kryesisht janë mes të rinjve të komuniteteve më të mëdha shqiptare dhe maqedonase, por Ministria e Brendshme ka apeluar që të mos raportohet në këtë prizëm për të parandaluar nxitjen e tensioneve apo reagimeve tjera, por mediat të raportojnë të gjitha ngjarjet në formën e kronikës së zezë.
Një incident i dhunshëm ndodhi javën e kaluar kur një autobus urban u sulmua nga një grup i dhunshëm me maska, ku u plagosën tetë të rinj. Një ditë më pas ndodhi edhe incidenti i radhës, ku një i ri denoncoi për një sulm tjetër. Nga viti 2007 janë shfaqur në masë të madhe këto incidente, ndërsa kulmi i tyre ka arritur në dy vitet e fundit, ku janë regjistruar dhjetëra incidente kryesisht gjatë muajve të vjeshtës dhe fillimit të dimrit./n.p/a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





