

Prishtinë, 18 nëntor 2013 NOA.al – Pas përsëritjes së votimeve në tri vendvotime në veri të Mitrovicës, EULEX është shprehur i kënaqur me procesin e këtyre zgjedhjeve. Përmes një komunikate për media EULEX ka vlerësuar se ofruesit e sigurisë, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i i kanë përmbushur detyrat e tyre në mënyrë efikase.
“Jam shumë i kënaqur që procesi i votimit dje u krye në mënyrë të qetë, pa incidente të mëdha, duke ju ofruar mundësi qytetarëve që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar. Bashkërendimi ndërmjet EULEX-it, PK-së, KFOR-it dhe OSBE-së ishte i shkëlqyeshëm”, ka thënë shefi i Misionit EULEX në Kosovë, Bernd Borchardt.
Ai ka lavdëruar Policinë, KFOR-in dhe EULEX-in ndërsa për zgjedhjet e 3 nëntorit EULEX kishte thënë se rolin kryesor për sigurinë gjatë asaj dite e kishte Policia e Kosovës.
“Ata kanë vepruar në mënyrë efikase për ta garantuar sigurinë e votuesve, të anëtarëve të komisioneve të qendrave të votimit dhe të lehtësuesve të zgjedhjeve nga OSBE-ja. Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i, në rolet e tyre si reagues të parë, të dytë dhe të tretë, e kanë mbrojtur mjedisin dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, në pajtim me mandatin e tyre”, thuhet në komunikatë./t.k/a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





