

Tomas Muller akuzoi italianët për truket e tyre të pandershme pas barazimit të Gjermanisë me të kaltërit në “San Siro” duke marrë si shembull përplasjen e Thiago Mottas me Tony Kroos, citon Supersport.
Mats Hummels zhbllokoi rezultatin për pancerat në minutën e 8-të, por 20 minuta më vonë Ignazio Abate barazoi rezultatin për të zgjatur serinë e takimeve pa humbje të italianëve përballë Gjermanisë.
Ndeshja u ndez akoma më tepër në minutat e fundit me përplasjen mes Thiago Mottas dhe Toni Kroos të cilën Muller e konsideroi superagresive nga ana e mesfushorit të Paris Saint-Germain.
Gjithsesi Muller tregoi se nuk mbeti i surprizuar nga taktikat e djemëve të Prandellit. “ Italianët luajtën ashtu siç ne e dinim se do të bënin, duke përdorur shumë truke të vogla të padrejta.
Nuk e di nëse këto gjëra duhet të kenë vend në një ndeshje futbolli. Edhe arbitri u bashkua me ta në strategjinë e tyre. Dakord nëse ka duele të forta, por Motta u soll ashtu siç ne të gjithë e dimë se di të bëjë, duke vënë duart në fytyrën e Tony Kroos”.
Vetë Tony Kroos mbështeti deklaratat e shokut të tij te Bayern Munich, duke e konsideruar veprimin e Mottas si një sulm ndaj tij. “ Të dyja skuadrat donin të fitonin. Nuk ishte e vështirë, ne e dimë se si luajnë italianët dhe ishim gati për këtë.
Këto teste janë diçka e mirë pasi të tregojnë se sa je përmirësuar. Sa për ndërhyrjen e Mottas mendoj se është diçka që të gjithë mund ta quajmë një sulm”.
Edhe trajneri i Gjermanisë Joachim Loew, e pranoi se ai nuk priste një përballje miqësore me Italinë por insistoi si ai mbeti i kënaqur nga paraqitja që skuadra e tij, dhuroi ndaj një ekipi që ka taktikën si armën më të fortë të tij.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





