Transmetuar më 16-11-2013, 09:49

Elbasan – Policia e Elbasanit arrestoi mëngjesin e sotëm 23 vjeçarin Dorian Kristo, me akuzën e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".

Mbrëmjen e së premtes në aksin Tiranë- Elbasan, 23 vjeçari Kristo, duke drejtuar makinën tip Audi Q7 fuoristradë humbi kontrollin mbi mjetin dhe për pasojë u përplas me mjetin tip Benz, me targë TR 0044Z, ku ndodhej nënkryetari i parlamentit Edmond Spaho.

Policia në vendin e ngjarjes konstatoi se shkak i aksidentit, me pasojë plagosjen lehtë të deputetit Edmond Spaho dhe shoferit të tij, ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara me të cilën udhëtonte 23 vjeçari.

Ky i fundit ka humbur kontrollin e mjetit, shumë afër daljes së tunelit Tiranë – Elbasan, duke u përplasur kështu me mjetin me targa Tirane, i cili udhëtonte nga Elbasani në drejtim të Tiranës.

Policia arrestoi në vendin e ngjarjes 23 vjeçarin, ndërsa transportoi për në spitalin rajonal nënkryetarin e Parlamentit, Edmond Spaho dhe shoferin e tij.

Në orët e vona të mbrëmjes së të premtes, nënkryetari i Parlamentit doli nga spitali i Elbasanit për t’u nisur drejt Tiranës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit