

Ambasada e SHBA-ve në Shqipëri thotë se qeveria amerikane e respekton vendimin e kryeministrit Edi Rama që refuzoi ardhjen e armëve kimike në Shqipëri.
Ambasada lëshoi këtë deklaratë që më poshtë e gjeni të plotë:
“E respektojmë vendimin e Kryeministrit. Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë faktin që Qeveria e Shqipërisë e shqyrtoi seriozisht mbështetjen e përpjekjes ndërkombëtare për të eliminuar materialet luftarake kimike të Sirisë në mënyrë të sigurtë.
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët si dhe me ONAK dhe Kombet e Bashkuara për të siguruar eliminimin e programit të armëve kimike të Sirisë. Mbetemi besimplotë se do ta përfundojmë eliminimin e programit brenda afatit për të cilin është rënë dakord.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një miqësi të fortë dhe jetëgjatë. Ne vazhdojmë të mbështesim qeverinë dhe popullin e Shqipërisë teksa punojnë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më demokratike”, – përfundon deklarata zyrtare e SHBA-ve e publikuar nga ambasada e saj në Tiranë para pak çastesh.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





