Transmetuar më 15-11-2013, 13:10

Shkup, 15 nëntor 2013, NOA.al – Partia maqedonase Ripërtëritja Demokratike Maqedonase (DOM) i ka bërë thirrje Qeverisë së Maqedonisë që t’i dërgojë notë Qeverisë Shqiptare, përmes së cilës do të kërkoj që të tërhiqet nga qëllimi për asgjësimin e armëve kimike siriane.

“Apelojmë tek të gjithë përfaqësuesit diplomatik në Maqedoni që përmes rrjeteve të tyre diplomatike të shprehin shqetësimin tek qeveritë e tyre për mundësinë e asgjësimit të armëve kimike dhe bashkërisht të parandalojmë një katastrofë të ardhshme ekologjike në Ballkan”, theksoi zëdhënësi i kësaj partie Toni Ristov.

Siç raporton gazetari i Noa.al në Maqedoni Naser Pajaziti, ai tha se sipas analizave të ekspertëve vendor dhe ndërkombëtar, është shumë rrezik një operacion i tillë, pasi një gjë e tillë u refuzua edhe nga Norvegjia, si shtet i zhvilluar.

“Shqipëria nuk mund të përballet me 1.300 ton armë siriane kimike dhe kjo do të rrezikoj jo vetëm këtë vend, por edhe Maqedoninë si vend fqinj dhe tërë Ballkanin”, ka theksuar DOM.

Qeveria e Maqedonisë nuk ka komentuar akoma situatën e krijuar në Tiranë lidhur me armët kimike siriane. Një zëdhënës i qeverisë i tha Noa.al sot se nuk mund të komentojnë këto zhvillime pasi akoma nuk ka një qëndrim zyrtar nga Qeveria shqiptare.

“Ne presim sot vendimin e Qeverisë dhe institucioneve tjera në rrugë zyrtare dhe shpresojmë se do të kemi një vendim që do të jetë jo vetëm në të mirë të Shqipërisë, por edhe tërë rajonit”, theksuan nga Qeveria në Shkup./n.p/a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit