Transmetuar më 14-11-2013, 18:07

INTERVISTA/ALBtelecom dhe Eagle Mobile, Drejtori i shitjeve në Albtelecom dhe Eagle Mobile, Aleksandër Kadiqi: Klienti në fokus të punës sonë

Mbërrin për herë të parë në Shqipëri, platforma televizive IPTV. ALBtelecom sjell brenda javëve të ardhshme, projektin e madh, një platformë interaktive risi për vendin tonë, ku ofrohen veç televizionit edhe shumë shërbime të tjera.

Drejtori i shitjeve në ALBtelecom, Aleksandër Kadiqi në një intervistë dhënë për Radio-Televizionin Scan, tregon detaje mbi këtë projekt. Po ashtu z.Kadiqi flet edhe për zhvillimet e tjera të kompanive ALBtelecom dhe Eagle Mobile. Ai thekson se për tregun shqiptar, dhjetori do të jetë muaj festash dhe muaji që do të lançohet për herë të parë kjo platformë. Kurse premton se viti 2014 do të jetë viti i fokusit të ALBtelecom kundrejt kësaj platforme, për ta bërë të pranishme në çdo familje që ka një telefon fiks.

Ndiqni më poshtë intervistën që Drejtori i shitjeve në ALBtelecom, Aleksandër Kadiqi dha për Radio-Televizionin Scan

ALBtelecom ka kaluar përmes një procesi shumë të rëndësishëm të shkrirjes së dy kompanive, të asaj Mobile dhe Fikse dhe normalisht, ky proces ka pasur një ndikim të rëndësishëm edhe në drejtim të shitjeve apo jo…? Cilat kanë qenë ndryshimet dhe arritjet e ALBtelecom gjatë këtij viti?

Sigurisht, që nga fundi i Shkurtit të këtij viti, dy kompanitë janë shkrirë zyrtarisht në një, pavarësisht se ne vazhdojmë të operojmë në treg me dy emra të mëdhenj si ALBtelecom dhe Eagle Mobile. Dy kompanitë janë shkrirë për një qëllim strategjik. Kryesisht fokusi është ndaj klientëve, për të krijuar produkte të cilat të jenë sa më konkurruese në treg dhe për t’iu krijuar mundësinë klientëve tanë që të na përqasen ne me një grup produktesh që përbëjnë telefoninë fikse, internetin, dhe telefoninë mobile. D.m.th., fokusi dhe strategjia jonë ka qenë klienti, bërja e produkteve sa më kompetitive, të kompletuara në mënyrë që ne të ofrojmë diçka më të mirë, me çmim më të lirë për tregun dhe klientët shqiptarë.

Kjo është reflektuar edhe me një valë investimesh të reja kryesisht në teknologji, cilat raste do të përmendnit?

Sigurisht, përsa iu përket investimeve, shkrirja e dy kompanive erdhi pas një periudhe prej gati një viti e gjysmë investimesh në rrjetin ALBtelecom dhe Eagle Mobile. Përsa i përket rrjetit ALBtelecom kam kënaqësinë t’iu informoj se investimet në këtë rrjet kanë qenë tërësore, me një vlere prej mbi 25 milione euro, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit dhe uljen e kostove. Shërbimi është i teknologjisë më të fundit NGN. Me këtë lloj shërbimi, ALBtelecom mund të jetë në çdo shtëpi me një shpejtësi prej deri ne 100 Mega. Deri para dy vitesh kjo shpejtësi ka qenë utopi për tregun shqiptar, ndërsa tashmë është një realitet që mund ta ketë çdo shqiptar në shtëpinë e vet pa problemin më të vogël, vetëm përmes ALBtelecom . Edhe Eagle Mobile gjithashtu ka investuar në drejtim të rrjetit. Së fundmi, kemi marrë licencën e 3G-së. Karakteristika e 3G-së tonë është sepse ne ofrojmë jo thjesht 3G por 3.5 G, dhe kjo falë sinergjisë që krijohet midis dy kompanive. Për informacionin tuaj, rrjeti i antenave 3G te Eagle Mobile suportohet nga infrastruktura e fibrës optike të ALBtelecom . Kjo është edhe një prej pikave strategjike të bashkëpunimit dhe shkrirjes së dy kompanive.

Një tjetër investim që mund të quhet një investim strategjik, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi sociale e kompanisë ndaj klientëve të saj, është investimi në rrjetin Wi-Fi ose Wireless internet në çdo qytet të Shqipërisë. Kjo platformë i jep mundësinë çdo klienti Eagle Mobile të aksesojë internetin falas për dy orë në ditë, në çdo qytet të Shqipërisë, vetëm duke aksesuar këtë rrjet e dukë marrë një kod, i cili është i aksesueshëm më pas edhe nga tre aparate të veçanta. Që do të thotë se, nëse klienti Eagle Mobile është një klient që zotëron edhe një tablet dhe nje laptop, ky kod është i përdorshëm për të treja këto aparate falas, për dy orë, çdo ditë. Kjo gjë bëhet jo sepse për ne nuk ka kosto investimi, por si kompani duke patur parasysh që interneti, sidomos për të rinjtë është bërë një ushqim ditor dhe mundësitë financiare të kësaj grupmoshe nuk janë dhe aq të mëdha, kompania shpalos këtë pjesë sociale të vetën, duke i ofruar të gjithë bazës së saj të klientëve internet falas, për 2 orë çdo ditë.

Ajo çka është më e rëndësishme për ju, është se sa avantazhe konkurruese krijon procesi i shkrirjes, sepse jemi të vetëdijshëm që tregu i telekomunikacioneve sot nuk është më një parajsë e fitimeve të lehta, siç mund të themi se ka qenë dikur pjesa e telefonisë fikse. Ka shumë konkurrencë, ka edhe elementë rregullatorë që e nxisin konkurrencën si bartja e numrit, orientimi në kosto i tarifave të interkonjeksionit, në anën e internetit janë operatorët e tjerë që janë bërë agresivë me zgjerimin e rrjeteve të tyre, pra është një mjedis konkurrues. Sa ju ndihmon fakti që ju i keni shkrirë të gjitha në një kompani?

Ky është një fakt pozitiv. Është e vërtetë që telekomunikacioni, veçanërisht në Shqipëri duke pasur në konsideratë edhe vitet e vështira që kalon ekonomia shqiptare dhe ekonomia botërore ka pasur impakt. Dhe konkurrenca detyrimisht sjell rritjen e cilësisë dhe uljen e çmimeve. Por kjo nuk na shqetëson absolutisht fare sepse ne jemi kompani biznesi por jemi një kompani e përgjegjshme biznesi që në fund të fundit fokusi është klienti. Duke pasur parasysh këtë fokus ne jemi munduar gjithmonë që ofertat tona të plotësojnë gjithmonë nevojat e klientëve tanë dhe këtë e tregon trendi shumë pozitiv që ne kemi gjatë vitit 2013, trend ky që është sigurisht si pasojë e një bashkimi të suksesshëm, krijimit të produkteve atraktive për tregun shqiptar dhe klientët shqiptar, sigurisht me fokus pasurimin e tyre dhe konkurrencën. Pra ne jemi një kompani që ofron tani një grup produktesh që mbyllin ciklin e telekomunikacionit fiks dhe mobile me një çmim shumë konkurrues sesa konkurrentët tanë. Dhe kjo bën që vërtet klientela ta vlerësojë dhe të jetë pjesë e rrjetit tonë çdo ditë e më shumë, pra rrit komunitetin. Fakti që ne tani kemi një komunitet shumë të madh, që është komuniteti i ALBtelecom dhe Eagle Mobile. Kjo bën që klientët tanë të kenë më shumë mundësi që të komunikojnë me më pak para. Kjo është si fokus.

Ç’mund të na thoni konkretisht për ofertat tuaja të fundit? Çfarë i ofroni më shumë dhe më mirë konsumatorit, pasi në fund të fundit, kjo është edhe ideja e konkurrencës?

Për shembull, përsa i përket telefonisë fikse, është një telefoni e cila sido që të jetë kurrë nuk mund të zëvendësohet nga ajo mobile. Telefonia Fikse është një nevojë që te ofron mundësinë e komunikimit por ka një të vërtetë që në nivel botëror, ashtu si edhe në Shqipëri ka një trend të vogël rënës. Çfarë bëjmë ne për ta bërë sa më atraktive? Oferta e fundit, për shembull, është që çdo klient ALBtelecom mundet që nga ora 8 e mbrëmjes deri ne 8 të mëngjesit të kryejë telefonata falas kundrejt gjithë numrave ALBtelecom dhe Eagle Mobile. Kjo është një taktikë e kompanisë, në radhë të parë për ti shpërblyer klientët e vet dhe në radhë të dytë për të bërë të përdorshëm gjithmonë e më shumë, dhe për të mos larguar vëmendjen nga telefonia fikse që është dhe përsëri do të mbetet një telefoni e domosdoshme për klientët shqiptarë dhe klientët në rang botëror. Përsa i përket telefonisë mobile, telefonia mobile gjithmonë është e prirur ndaj komuniteteve. Ne nuk na shqetëson ky fakt. Ne duam që klientët tanë të ndihen të lirë. Ç’do me thënë të lirë? Do të thotë që ai të jetë i lirë të flasë me cilindo mik, shok, në çfarëdolloj rrjeti që është. Pra ne jemi kundër shtyrjes drejt një komuniteti ku t’i krijojmë mundësi më të vogla dhe gjithmonë të shtyjmë drejt të folurit brenda grupit. Ne jemi për t’i dhënë mundësinë klientit të ndihet i lirë, ashtu siç është dhe emri i operatorit që personifikon lirinë (Eagle). Eagle Mobile është një kompani që i thotë klientëve “flisni dhe ndihuni të lirë në komunikimin tuaj”. Për këtë arsye paketat tona më minuta brenda rrjetit dhe jashtë tij nuk kanë kufizime. Janë kufizime minimale, pavarësisht se janë më të kushtueshme duke patur parasysh mënyrën sesi është rregulluar telekomunikacioni në Shqipëri. Pra ne marrim kosto më të mëdha nën vete si operator për t’i dhënë mundësinë klientëve tanë që të ndihen të lirë dhe të thërrasin miqtë, shokët e tyre, të afërmit e familjarët në çdo operator pa ndjerë kosto shtesë. Për këtë arsye, oferta jonë e fundit është 200 minuta kombëtare kundrejt të gjithë operatorëve dhe risi është fakti që këto minuta mund të përdoren edhe drejt Italisë dhe Greqisë, ndaj çdo operatori. Kompania ka përzgjedhur Italinë dhe Greqinë, duke patur parasysh se komunitetet më të mëdha të emigrantëve, ose të njerëzve tanë të afërt jetojnë në këto dy shtete. Pra, ne gjithmonë jemi më afër klientëve me kosto më të ulura për ta dhe me mundësi më të mëdha komunikimi, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Për të qëndruar gjithmonë te risitë… në mos gaboj, në fund të këtij viti do të lançoni IPTV?

IPTV-ja është një projekt i madh, për të cilin ALBtelecom po punon prej disa muajsh, pasi është një platformë që hidhet për herë të parë në tregun shqiptar. IPTV është televizion nëpërmjet internetit; është një platformë interaktive, ku televizioni ndjek klientin në dëshirat e tij dhe jo klienti televizionin. Kjo është një platformë të cilës ti mund ti përqasesh, e që plotëson dëshirat e tua; ti mund ta ndalosh filmin, mund ta vendosësh përsëri; mund të kërkosh një film të një kategorie të caktuar nga libraria e ALBtelecom ; mund të vendosësh një reminder ose të të bjerë një zile për një film të caktuar… pra kjo është një platformë që mud të quhet si platformë kompjuterike, ku televizioni ka një hardware brenda që të bëhet shok e mik dhe është jashtëzakonisht pozitiv ndaj kërkesave të tua. Pra, ty nuk të duhet të programosh se kur do të shohësh TV, sepse TV i përgjigjet në çdo moment kërkesës tënde për të parë se çfarë dëshire ke. Ky është pak a shumë koncepti i IPTV. Dua të theksoj që për tregun shqiptar, dhjetori do të jetë muaj festash dhe muaji që ne do të lançojmë për herë të parë këtë platformë dhe viti 2014 do të jetë viti i fokusit të ALBtelecom kundrejt kësaj platforme, për ta bërë të pranishme në çdo familje që ka një telefon fiks.

Si do ta menaxhojë ALBtelecom këtë platformë? Keni bashkëpunëtorë?

Ne kemi një partner që mund ta quajmë partner strategjik në këtë marrëdhënie, Tring TV. Kontenti (përmbajtja) kuptohet që do të jetë i pasuruar, nuk do të jetë i njëjti kontent. Ne do të kemi një kontent të dedikuar nga një partner i yni që është i suksesshëm në tregun shqiptar. Pra është një bashkëpunim ndërmjet kompanisë sonë dhe Tring TV.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit