

Tiranë, 14 nëntor 2013, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani priti sot në një takim një përfaqësi të qytetarëve që protestuan kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri, dje përpara Institucionit të Presidentit të Republikës dhe sot para Parlamentit.
Pasi dëgjoi argumentet e sjella nga përfaqësuesit e qytetarëve, Presidenti i Republikës vlerësoi si një të drejtë themelore protestën dhe se çështja e importimit të armëve kimike ka një ndjeshmëri maksimale nga opinioni publik.
Kreu i Shtetit deklaroi se deri në këto momente nuk ka asnjë kontakt apo informacion nga Qeveria Shqiptare për këtë çështje, duke theksuar se kjo tingëllon krejt e pazakontë, por për fat të keq ky është realiteti në lidhje më njohuritë e Presidentit.
Presidenti i Republikës mbetet në pritje që të kontaktohet dhe informohet nga Qeveria Shqiptare.
Nga ana e tij, Kreu i Shtetit i siguroi përfaqësuesit e qytetarëve dhe përmes tyre të gjithë qytetarët e vendit se në çdo rast Presidenti do të jetë garant i respektimit dhe zbatimit të Kushtetutës dhe legjislacionit shqiptar si dhe prioritet i punës së Kreut të Shtetit mbetet gjithmonë garancia për sigurinë e jetës, shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve të vendit./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





