

Prishtinë, 14 nëntor 2013 NOA.al- Ish-komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që është edhe ambasador i Kosovës në Republikën e Shqipërisë Sylejman Selimi, akuzohet për dhunimin seksual të dy vajzave shqiptare nga Mitrovica gjatë luftës.
“Sot, një prokuror ndërkombëtar nga Zyra e Prokurorisë Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër katër të pandehurve në Gjykatën Themelore të Mitrovicës”, thuhet në një komunikatë të EULEX-it.
Siç raporton gazatarja e Noa.al në Kosovë Tinka Kurti, Prokurori special, Mauricio Salustro, ka ngritur aktakuzë kundër Selimit, Ismet Haxhës, Nexhat Qubrelit dhe Shefki Hysenit për krime lufte kundër popullatës civile.
“Të pandehurit akuzohen për shkelje kriminale të krimeve të luftës ndaj popullatës civile, përfshirë këtu torturimin dhe përdhunimin e dy civilëve shqiptarë, krime këto që pretendohet të jenë kryer në Vaganicë dhe Likoc gjatë viteve 1998- 1999. Rasti po hetohet nga prokurori ndërkombëtar i Zyrës së Prokurorisë Speciale të Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë./t.k/a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





