Transmetuar më 13-11-2013, 17:13

Tiranë, 13 nëntor 2013, NOA.al/Alba Skëndaj- Kryeministri Edi Rama u përgjigj sot në lidhje me protestat e qytetarëve kundër demontimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Ai u shpreh se në lidhje me armët, nuk ka vend për alarm dhe se një gjë e tillë nuk do të pranohet në rast se cenohet integriteti i vendit.

“Çdo vajzë dhe çdo djalë,  duhet ta dijë se kurrë, unë vetë dhe kjo Qeveri nuk do të pranonte që, jo jeta, por vetë e ardhmja e tyre të vihej në diskutim me cenimin më të vogël. Çdo prind duhet ta dijë se kurrë, unë apo Qeveria nuk do të vendoseshim në asnjë lloj pozicioni që do të rrezikonte qoftë edhe një fije fëmijën apo familjen,” është shprehur Rama në Konferencën Kombëtare Antikorrupsionit e organizuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria shqiptare.

Kryeministri foli sërish për çështjen e çarmatimit në paqe të regjimit të Assad duke theksuar vendosmërinë se: “Po”-ja jonë do të mund të lidhet vetëm me një plan dhe me një marrëveshje, nga ku, të jetë e qartë për të gjithë, që Shqipëria do të dalë jo vetëm më kokën lart, por e fituar dhe edhe më e pastër seç është sot.”

“Unë i kuptoj të gjithë ata që protestojnë, ata që shprehin protestën e tyre ndaj një çështje që e ka përfshirë Shqipërinë si partnere e një vendi si Amerika dhe vend anëtar i NATO. Kjo ende është një çështje e cila mbetet me shumë të panjohura, pasi thuhen shumë të pavërteta dhe ndërkohë diskutimi vazhdon. Unë jam krenar që ne jemi një shumicë e zgjedhur me një votë të fortë popullore, dhe projekti i parë që kjo qeveri ka paraqitur në Parlament ka qenë ai i ndalimit të plehrave. Përfshirja në këtë diskutim për çështjen në fjalë nuk ka asnjë kundërshtim me refuzimin për të importuar plehra nga jashtë”, ështe shprehur Rama.

Sipas tij, këto janë dy gjëra që nuk lidhen me njëra-tjetrën.

Ai ka shtuar se njerëzit kanë nevojë për të pasur një plan të plotë, të gjykojnë mbi një marrëveshje të plotë dhe të dëgjojnë një arsyetim të plotë se çfarë përfiton Shqipëria në rast se përfshihemi në një plan të tillë.

“Të gjitha këto do të thuhen kur ky plan të jetë gati për tu diskutuar. Deri më sot nuk ka asnjë plan dhe asnjë marrëveshje me vendet e përfshira në këtë proces. Sot ne mundet të themi se në asnjë rast nuk do të pranonim të cenohej integriteti i vendit si në aspektin jetik, mjedisor apo të së ardhmes. Për ne kontributi dhe pozicionimi përkrah SHBA është i lidhur me interesin e çdo familje shqiptare në këtë vend. Do të lidhim plane dhe marrëveshje nga të cilat të mund të dalim me kokën lart, por edhe më të pastër seç jemi. Sot, Shqipëria jeton në një mjedis të mbushur me grumbullime mbeturinash të rrezikshme për shëndetin dhe të ardhmen. Kjo nuk është një arsye për të marrë rreziqe të tjera, por për të medituar për mundësinë se një moment i tillë mund të jetë një shans i madh për të dalë me kokën lartë”, është shprehur Rama. /a.s/noa.al/

Më poshtë gjeni pjesën e fjalimit të Kryeministrit Edi Rama në këtë Konferencë lidhur me çështjen e shumëpërfolur ditët e fundit të çarmatimit të regjimit të Assadit:

Jo pa keqardhje m’u desh të largohem për një periudhë kohe, ndryshe nga parashikimi për të qenë gjatë gjithë ditës në këtë Konferencë që është e para e llojit të vet besoj dhe që realisht ishte një hapësirë shumë interesante ndërveprimi mes shumë aktorësh dhe faktorësh institucionalë. Por m’u desh që të mungoja dhe dëshiroj ta ndaj këtë gjë jo vetëm me ju, por edhe me publikun sepse besoj që vlen, për të qenë në vazhdën e një diskutimi që vazhdon lidhur me çështjen e shumëpërfolur ditët e fundit të çarmatimit të regjimit të Assadit.

Dua të përfitoj nga ky rast për të përsëritur edhe njëherë për të gjithë qytetarët e shqetësuar, se nuk ka vend për alarm.

Unë i mirëkuptoj, me të vërtetë, të gjithë ata që protestojnë.

I mirëkuptoj me të vërtetë vajzat dhe djemtë, që shprehin protestën e tyre ndaj një çështje, që e ka përfshirë Shqipërinë, natyrshëm, si pjesë e Familjes Euroatlantike dhe si partnere e pandashme e SHBA-ve, por që mbetet me shumë të panjohura ende për publikun e gjerë.

Mbetet me shumë të panjohura qoftë për faktin se thuhen shumë të pavërteta, por qoftë dhe për faktin se ndërkohë diskutimi vazhdon dhe shumëçka mbetet ende pjesë e një diskutimi intensiv, e një diskutimi të gjerë, e një diskutimi me përgjegjshmërinë më të lartë nga të gjithë dhe ju siguroj edhe nga Qeveria Shqiptare.

Më lejoni të shtoj se pa asnjë dyshim sot dhe gjithherë, unë jam dhe do të mbetem krenar që ne jemi një shumicë e zgjedhur me një votë të fortë popullore, që projektin e parë që i çoi parlamentit pati projektin e ndalimit të importit të plehrave.

Përfshirja në diskutimin e nxehtë të ditës me SHBA-të dhe më të tjerët për çështjen në fjalë, nuk ka asnjë kundërshti me refuzimin tonë për të importuar plehra nga jashtë. Përkundrazi, është rasti që secili të shohë dhe të kuptojë se janë dy gjëra pa asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Por, pa asnjë dyshim njerëzit kanë nevojë për siguri të plotë.

Njerëzit kanë nevojë për të patur para syve një plan të plotë. Njerëzit kanë nevojë për të gjykuar mbi një marrëveshje të plotë. E, në fund të fundit, për të dëgjuar një arsyetim të plotë për çfarë përfiton Shqipëria, pikërisht edhe nga vetë pikëpamja mjedisore në rast se përfshihet në një operacion të tillë.

Të gjitha këto do të mund të thuhen dhe dëgjohen, vetëm kur ky plan i plotë dhe kjo marrëveshje e plotë të jenë gati për t’u diskutuar.

Fakti që sot nuk ka ende asnjë vendim, lidhet me faktin që sot nuk ka ende asnjë plan të plotë dhe asnjë marrëveshje të plotë me vendet e përfshira në këtë proces dhe jo vetëm nga ana jonë, por mes vendeve me njëri-tjetrin.

Kështu që, ajo çka unë mund të them duke kërkuar mirëkuptimin e të gjithëve, ashtu siç mirëkuptoj plotësisht të gjithë ata që ndihen të shqetësuar apo edhe ata që dalin në protestë, jo nga rruga e interesave politike, por nga rruga e interesit qytetar dhe atdhetar, që sot ne mundet vetëm të themi me plot gojën se në asnjë rast dhe për asnjë arsye, ne nuk do të pranonim që të cënohej integriteti i vendit tonë, qoftë në aspektin jetik, qoftë në aspektin mjedisor, qoftë në aspektin e të ardhmes së vet.

Çdo vajzë dhe çdo djalë, nxënës apo student, që sot është përfshirë në këtë debat, duhet ta dijë se kurrë, unë vetë dhe kjo Qeveri nuk do të pranonte që, jo jeta, por vetë e ardhmja e tyre të vihej në diskutim me cenimin më të vogël. Çdo prind duhet ta dijë se kurrë, unë apo Qeveria nuk do të vendoseshim në asnjë lloj pozicioni që do të rrezikonte qoftë edhe një fije fëmijën apo familjen. Çdo gjyshe dhe gjysh, në këtë vend, duhet ta dijë se kurrë ne nuk do të thoshim një “Po” dhe kurrë unë nuk do të shkoja përballë publikut dhe përballë Parlamentit për të kërkuar “Po”-në e tyre të domosdoshme, pa pasur në dorë një plan të bazuar mbi një marrëveshje, që do të garantonte jo vetëm që të gjitha rreziqet e imagjinuara për shkak të një propagande, do të thosha të mbështetur në një tërësi të pavërtetash dhe me disa të vërteta që janë dhe të vërtetat tona, të kthehej në një problem.

Pra, është absolutisht e qartë që për ne, për mua, për Qeverinë, me patjetër, kontributi ynë dhe pozicionimi ynë i qartë krah për krahë Shteteve të Bashkuara është i lidhur me interesin e çdo shqiptari, të çdo familjeje shqiptare dhe të ardhmërisë së këtij vendi dhe të familjeve të këtij vendi në këtë vend. Çka do të thotë se “Po”-ja jonë do të mund të lidhet vetëm me një plan dhe me një marrëveshje, nga ku, të jetë e qartë për të gjithë, që Shqipëria do të dalë jo vetëm më kokën lart, por e fituar dhe edhe më e pastër seç është sot.

Me këtë dua ta mbyll, duke u thënë të gjithë shqiptarëve se sot Shqipëria, në kushtet që gjendemi, jeton në një mjedis të mbushur me hot spote dhe me grumbullime mbeturinash të rrezikshme për shëndetin dhe për të ardhmen. Kjo, sigurisht, nuk është një arsye për të marrë përsipër rreziqe të tjera. Përkundrazi, kjo është një arsye për të medituar mbi mundësinë që një moment i tillë mund të jetë një shans i madh, jo vetëm për të bërë detyrën tonë me kokën lart, por edhe për të dalë nga ky operacion më të fortë dhe më të pastër. Këto janë gjërat që doja të thosha lidhur me këtë çështje. Jam i bindur që do të duhet kohë. Jam i bindur që do të duhen të gjithë argumentet e nevojshëm në mbrojtje të një propozimi për Parlamentin dhe, sigurisht, për publikun që Shqipëria ta marrë përsipër një pjesëmarrje të tillë, në një proces kaq historik dhe kaq delikat për mbarë botën, në fakt. Ndërkohë, pikërisht, sepse ne duam të jemi 100% të sigurt, ne ende nuk kemi një vendim. Ky vendim do të merret në konformitet të plotë me gjithë detyrimet që ka Qeveria e Shqipërisë dhe që kam unë personalisht, përballë çdo shqiptari për të rreshtuar çdo argument dhe gjithë tërësinë e argumenteve që e arsyetojnë vendimin si përgjegjësi kombëtare dhe si një proces garancish të plota për publikun shqiptar dhe për të ardhmen e këtij vendi.

Me 28 tetor, Edi Rama paralajmeroi pranimin e armeve kimike

Kryeministri Edi Rama e kishte paralajmëruar më 28 tetor 2013 se do të pranonte cdo kërkesë të SHBA-ve lidhur me Sirinë.

Duke folur në emër të popullit tonë, Rama tha: "Si një popull që e ka lidhur fatin dhe të ardhmen e tij me fatin dhe të ardhmen e lirisë e të demokracisë, ne do të jemi pa asnjë diskutim e hezitim në krah të Shteteve të Bashkuara në çdo front beteje ushtarake që arsye të vetën, ka lirinë e njerëzve dhe çlirimin e popujve nga regjimet barbare të cilat shkojnë deri tek armët kimike për mbijetesën e tyre. Si qeveria e re e Shqipërisë, ne do të jemi kurdoherë dhe me çdo çmim, në lartësinë e borxhit të pashlyeshëm historik ndaj aleatëve që mbështetën aspiratën e shqiptarëve për liri dhe sot ne jemi njësh me ta, në shprehjen e revoltës ndaj regjimit të Damaskut e të përgjegjësisë për t’ju kundërpërgjigjur ushtarakisht politikës shfarosëse të armëve kimike. Jemi plotësisht gati që me të marrë detyrën në Kuvendin e Shqipërisë, të marrim edhe detyrën që na takon për të mbështetur me të gjitha kapacitetet e kërkuara operacionale përpjekjen e Aleancës Euroatlantike për të ndalur marrëzinë vrastare ndaj popullit sirian. Jam i bindur se në këtë drejtim Kuvendi i Shqipërisë do të jetë unanim përballë çdo kërkese që do të vij nga NATO dhe ne do të jemi të pakursyer për të qëndruar pranë popullit sirian në këtë moment të vështirë për të".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit