

Arjen Robben është i bindur se Holanda mund ta fitojë Kampionatin Botëror dhe me këtë objektiv, skuadra do të niset drejt Brazilit, citon Supersport.
Tulipanët, nënkampionë të botës 3 vjet më parë, u mundën në finale në Afrikën e Jugut nga një gol i vetëm që Iniesta shënoi për Spanjën, por asi i Bayernit të Mynihut beson plotësisht se kombëtarja e tij mund të pretendojë më shumë se kaq.
“Duam të shpallemi kampionë në Brazil. Eshtë një objektiv realist dhe nuk do të jemi atje thjesht për të shkuar sa më larg. Duhet të mbijetojmë në sfidat e grupit dhe nëse e kalojmë këtë raund, Kupa e Botës do të jetë ëndrra jonë”.
Ekipi i Van Gaal nuk ka pësuar humbje në 15 ndeshje, por Robben paralajmëron se testi i vërtetë për Holandën do të jenë miqësoret me Kolumbinë dhe Japoninë.
“Në këto ndeshje nuk flitet për pikë por janë të rëndësishme. Janë dy ekipe me të cilat mund të përballemi në Brazil. Shumica flasin për Kolumbinë, por Japonia mund të jetë edhe më e rrezikshme”.
Në mungesë të Van Persie në miqësore, rolin e komandantit në ekip do ta ketë pikërisht Robben. 29-vjeçari u shpreh se ndihet krenar dhe i lumtur për shiritin e kapitenit dhe nuk ndjen aspak presion.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





