

Portugalia e Paulo Bentos ka nisur intensivisht përgatitjet në kuadër të përballjes së dyfishtë kundër Suedisë që vlen jo pak por një biletë drejt Brazilit, citon Supersport.
Objektivi për të siguruar kualifikimin pas fazës së grupeve dështoi, prandaj luzitanët duhet të zhvillojnë 180 minuta perfekte për të qenë të pranishëm në evenimentin ku marrin pjesë 32 skuadrat më të mira të 5 kontinenteve.
Me Cristiano Ronaldon jo në formë të mirë fizike, mbrojtësin Pepe që mungoi në seancën stërvitore dhe Fabio Coentraon në dyshim, kampi stërvitor është vënë në alarm, por Bruno Alves ul presionin duke u shprehur se arritjet e viteve të shkuara nuk mund të eklipsohen nga ndeshjet play-off, pavarësisht rezultatit që do të arrijë kombëtarja e tij.
“Në këto dy ndeshje mund të ndodhë gjithçka dhe këtë e them nga eksperienca. Duhet të përqëndrohemi maksimalisht dhe të japim gjithçka për të fituar. Vetëm pasi të kemi bërë këto detyra në ndeshjen e parë atëherë duhet të ndërtojmë edhe strategjinë për takimin e dytë”.
Nëse portugezët i kanë varur të gjitha shpresat te Cristiano Ronaldo, në kampin kundërshtar kanë një “sozi” të tij. Bëhet fjalë për Zlatan Ibrahimovic. Një duel brenda duelit që e pranon edhe mbrojtësi luzitan.
“Unë mendoj se është e mundur që ta ndalim Ibrahimovic, por nuk është ky objektivi sepse ne duhet të punojmë për të bllokuar gjithë ekipin e Suedisë, pasi nëse Ibra nuk mbështetet nga skuadra, s’mund të bëjë shumë në fushën e lojës.
Ai është një lojtar i madh, por këmbëngul në idenë time se për të qenë i dobishëm duhet të funksionojë gjithë ekipi, prandaj nuk duhet të shqetësohemi vetëm për të”.
Portugalia dhe Suedia janë ndeshur për herë të fundit në eliminatoret e Kupës së Botës 2010 ku u ndanë në paqe pas dy përballjeve, por luzitanët i favorizon historia sepse në 7 ndeshjet e fundit nuk kanë pësuar asnjë humbje prej nordikëve.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





