

Tiranë, 13 nëntor 2013, NOA.al- Një operacion i policisë së kryeqytetit ka bërë të mundur zbulimin dhe sekuestrimin e 400 kilogramëve lëndë narkotike të llojit kanabis sativa.
Mësohet se lënda narkotike është gjetur në zonën e Zall Bastarit, ndërsa janë arrestuar dy persona, si dhe janë sekuestruar armë zjarri.
Lidhur me këtë rast u arrestuan dy vëllezërit, Ilir Meta 37 vjeç dhe Gani Meta 33 vjeç. Falë një hetimi disa ditor, në ngarkim të të ndaluarve, u arrit të përcaktohet vendndodhja e tyre si dhe më pas arrestimi në flagrancë, në fshatin Pllag të Komunës Zall – Bastar.
Gjatë ecurisë së hetimit mbi vëllezërit Meta, u konkludua se lënda narkotike e llojit kanabis, ishte e kultivuar në ambientet e banesës së tyre, e cila shërbente si laborator në rritje, prodhim, proces tharje dhe më pas shpërndarje në zona të ndryshme në Tiranë.
Fillimisht u realizua kapja në flagrancë e Ilir Metës i cili ishte i fshehur në një banesë në Komunën Zall – Bastar dhe më pas kapja e vëllait të tij Gani Hidër Meta, i cili u kap në Kamëz Tiranë./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





