Transmetuar më 11-11-2013, 19:28

Tiranë, 11 nëntor 2013, NOA.al- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Komisionerin Evropian për Politikën e Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Stefan Fyle, me të cilin biseduan rreth ecurisë së agjendës evropiane të Shqipërisë, me fokus në rekomandimet e Progres-Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë. Meta foli për një Plan Veprimi që po hartohet nga Parlamenti i cili nxit bashkëpunimin e të gjitha palëve, ndërsa Fyle përveç se vuri në dukje nevojën për dialog, theksoi se duhet të përmbushen rekomandimet e Progres-Raportit.

Kryetari i Kuvendit, u shpreh se ky institucion po harton një Plan Veprimi për adresimin e të gjitha pikave të raportit dhe për zbatimin e rekomandimeve dhe se puna do të fokusohet në dialogun konstruktiv dhe në nxitjen e bashkëpunimit të të gjitha palëve politike me qëllim që agjenda evropiane të mbetet kryefjalë e agjendës kombëtare.

“Të gjithë aktorët, përfshirë këtu edhe shoqërinë civile dhe institucionet e pavarura, duhet të punojnë së bashku për integrimin evropian”, u shpreh Meta.

Komisioneri Fyle u shpreh se pas vlerësimit që Komisioni bëri përmes Progres-Raportit, të gjitha palët duhet të fokusohen në përmbushjen e rekomandimeve kyçe përmes bashkëpunimit konstruktiv. Në këtë drejtim, ai vuri në dukje rëndësinë e dialogut të nivelit të lartë në mbështetje të avancimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe gatishmërinë e Komisionit për të asistuar në këtë drejtim.

Në përfundim, Kryetari Meta dhe Komisioneri Fyle ndanë bindjen se dimensioni i diplomacisë parlamentare merr një rëndësi të veçantë në kuadër të integrimit evropian të vendit./a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit