



Tiranë, 11 nëntor 2013, NOA.al- Pas takimit, Kryeministri i vendit, Edi Rama, dhe Komisioneri Europian për Zgjerimin, Stefan Fyle, kanë dalë në një deklaratë të përbashkët për mediat. Kryeministri Rama është shprehur i vendosur për përshpejtimin e procesit të integrimit, në bashkëpunim me opozitën, si dhe gatishmëri në luftën kundër korrupsionit.
Nga ana e tij, Komisioneri për Zgjerim, Fyle, bëri të ditur se do të vazhdohen diskutimet edhe në ditët në vazhdim për një platformë që do të orientojë Shqipërinë në procesin e integrimit si dhe për zbatimin e 5 prioriteteve kyçe.
Rama është shprehur i kënaqur për takimin e tij me Komisionerin, i cili është i pranishëm për herë të parë në vendin tonë pas zgjedhjeve dhe se nesër do të marrë jetë një nismë për përshpejtimin e integrimit si një proces që nuk është ekskluzivitet i qeverisë, por proces gjithëpërfshirës.
“Jo rastësisht më pas kemi një takim të zgjeruar në sallën e TOB me një grup studentësh të përzgjedhur në bazë të rezultateve të shkëlqyera, për të ndarë eksperiencën ne komisionerin Fyle. Gjithashtu jemi të vendosur pa kompromis në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Duam të ndërtojmë një proces ku opozitës të mos i mohohet asgjë e ky të jetë një realitet i prekshëm”, është shprehur Rama në fjalën e tij.
Komisioneri Fyle ka bërë të ditur se ka diskutuar me kreun e qeverisë për statusin e vendit kandidat dhe do të vazhdojnë të diskutojnë edhe në ditët në vazhdim.
“Përveç rekomandimeve për dhënien e statusit kemi nënvizuar edhe 5 prioritetet kyçe që Shqipëria duhet të përmbushë si dhe përpjekjet që duhet të bëjë. Mes të tjerash kam theksuar nevojën për dialog konstruktiv midis opozitës dhe qeverisë, i cili është thelbësor për të ardhmen e vendit. Kemi diskutuar edhe për fokusimin e Shqipërisë në këto fusha kaq të rëndësishme, që do t’i diskutojmë edhe gjatë ditës së nesërme. Do të lançojmë një platformë të rëndësishme që do të orientojë vendin tuaj në procesin e integrimit”, ka përfunduar Fyle./a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





