

Komuniteti ndërkombëtar është mobilizuar për t’iu ardhur në ndihmë Filipineve të cilat u shkatërruan nga tajfuni Haiyan, i cili shkaktoi mbi 10 mijë të vdekur.
Gjithsesi dorëzimet e para të ndihmave në Manila hasën në vështirësi, përballë kaosit që mbizotëron në vend. Pentagoni dërgoi personel dhe mjete ushtarake, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ofrojnë ndihmë humanitare si ushqime, tenda, mjekime dhe ujë. Sakaq Komisioni Europian ka vënë në dispozicion një fond prej 3 milionë euro për operacionet e ndihmës.
“Ka njerëz të vdekur gjithandej, shkatërrime masive”, u shpreh shefi i kryqit të kuq filipinas, Richard Gordon.
Por mes rrënojave një grua që i mbijetoi tajfunit Haiyan solli në jetë një vajzë të vogël në Tacloban, një nga qytetet filipinase të përfshirë nga shkatërrimi.
Të sapolindurës iu vu emri Bea Joy, në nder të nënës Beatriz e cila humbi jetën gjatë katastrofës.
“Është mrekullia ime. Mendova se do të vdisja”, tha nëna e vogëlushes Emily Sagalis, 21vjeç pas lindjes që ndodhi në aeroportin gjysmë të shkatërruar të Tacloban.
Pas Filipineve tajfuni Haiyan goditi edhe Vietnamin, i cili u shoqërua me shira të rrëmbyer dhe erë të fortë deri në 120 km/h, por pa shkaktuar viktima. 650 personat e evakuuar janë kthyer tashmë në shtëpitë e tyre, megjithë përmbytjet e shkaktuara në disa zona rurale./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





