Transmetuar më 10-11-2013, 11:29

Tiranë, 10 nëntor 2013, NOA.al- Bizensmeni Arben Frroku, i akuzuari kryesor për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj u njoh sot me masën e sigurisë, “arrest me burg”, dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda me dyer të mbyllura.

Frroku u ekstradua dy ditë më parë nga Greqia për në Shqipëri, pas arrestimit të bërë në shtetin fqinj muaj më parë, pas vrasjes së efektivit të lartë të policisë.

Arben Frroku është akuzuar nga policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda si një ndër njerëzit kryesorë që është i përfshirë në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, i vrarë me 12 plumba në prag të shtëpisë së tij më 24 shkurt të këtij viti.

Autoritetet thanë pas krimit se identifikuan Arben Frrokun kurse nuk dhanë informacion për dy personat e tjerë të dyshuar se ndodheshin në automjetin tip “BMW” nga dhe u qëllua me armë zjarri drejt ish-shefit të komisariatit të lagjes së Kombinatit, Dritan Lamaj.

Gjykata e Lartë në Athinë mori vendimin për të realizuar ekstradimin e Frrokut në 7 qershor të këtij viti, duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së Drejtësisë shqiptare për ekstradimin e të dyshuarit për vrasjen e kryekomisar Lamaj.

Arben Frroku u arrestua në Selanik në orët e para të 25 shkurtit, disa orë pas vrasjes së kryekomisarit Lamaj në Tiranë. Ai u prangos në një hotel ku ndodhej me të afërm dhe policia tha atëherë se iu gjet edhe një sasi lënde narkotike. Arben Frroku nuk e ka pranuar asnjëherë akuzën dhe ka paraqitur alibitë e tij për kohën kur ndodhi vrasja./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit