

Në rastin e mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri kemi pasur disa eksperienca që variojnë që nga largimi i mbetjeve të rrezikshme të Bisht-Pallës për në Gjermani në vitin 2006 dhe mbetje të tjera për në Greqi më 2009-2010, e deri tek inkapsulimet e mbetjeve të rrezikshme pranë vendndodhjes së tyre, si p.sh. inkapsulimi i mbetjeve të bakrit në Rubik, inkapsulimi i mbetjeve të arsenikut në Fier dhe inkapsulimi i mbetjeve të lindanit brenda ish-fabrikës së lindanit në Porto Romano
Nga Jamarbër Malltezi
Këto ditë është folur shumë lidhur me importin e lëndëve kimike luftarake të Sirisë, me qëllim shkatërrimin në Shqipëri të tyre. Ka një sjellje të çuditshme dhe të padenjë të qeveritarëve, që nuk thonë asnjë fjalë dhe fshehin kokën si struci në Tiranë, ndërsa ne i marrim vesh të rejat nga shtypi i huaj ku përdridhen qeveritarët tanë, përfshi “Le Monde”, “DW” etj. Fillimisht mendova se prezantimi i këtij skupi mediatik do të ishte një nga truket e zakonshme të Ramës, e huazuar nga jashtë dhe e përdorur shpesh prej tij, kur pas nxehjes së debatit publik qeveria do të dilte si shpëtimtarja e situatës duke deklaruar refuzimin e importit të mbetjeve kimike. Por kur lajmi për negociatat e qeverisë u botua edhe në “Foreign Policy”, u duk qartë se është situatë serioze. Qeveria ka gjashtë ditë që fshihet dhe nuk flet lidhur me këtë gjë, që është ndoshta çështja më serioze, me ndikim në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve, me të cilën jemi përballur ndonjëherë. Si ambientalist mbaj mend që treni me pesticide të skaduara që erdhën si ndihmë nga Gjermania në vitin 1991 qëndroi në stacionin e trenit në Bajzë për disa vjet rresht dhe u bë hot-spoti më i rrezikshëm në Shqipëri dhe një shembull tipik i keqpërdorimit të ndihmës së huaj. Pyetja e parë që vjen në mend është: A e di ndokush në qeveri që importi i mbetjeve kimike është i ndaluar me ligj? Sipas katalogut të mbetjeve dhe Direktivës së BE për menaxhimin e integruar të mbetjeve, mbetjet kimike hyjnë në grupin e mbetjeve më të rrezikshme. Për më tepër, qeveria, në një akt teatral dhe mediatik, i shiti opinionit publik se vendimi i parë që mori (krahas shkeljes së Kushtetutës me luftën me foton e Presidentit), ishte ndalimi i importit të “plehrave”, paçka se ato: i) janë mbetje të vlefshme që shiten dhe blihen në bursë (p.sh. skrapi i hekurishteve etj.); ii) eksporti i atyre lloj mbetjeve nga Shqipëria është mbi 10 herë më shumë sesa importi; iii) ka një industri të ngritur prej vitesh që punon me to si lëndë e parë (p.sh. “Kurum” me hekurin dhe çeliqet, “Everest” me plastikën etj.); dhe iv) janë pjesë e listës së gjelbër të mbetjeve, sipas Direktivës së BE. Qeveria ndalon importin e listës së gjelbër të mbetjeve dhe pranon të importojë listën e zezë me mbetjet më të rrezikshme?! Apo po ecin me parimin e Shvejkut: “Ç’më duhet mua se ç’them unë”? Sipas mediave ndërkombëtare – pasi qeveria e Shqipërisë ka futur në fuqi kodin “Omerta” duke i vënë drynin çdo lloj tentative për transparencë – mendohet që të jenë nga 1000 deri në 1300 tonë lëndë helmuese kimike të neuro-toksinave, si gazi sarin, që duhen asgjësuar. Ky gaz është shumë i rrezikshëm, pasi para pak muajsh mendohet që u përdorën veç diku rreth 300 kg (0.3 ton) dhe solli vdekjen e mbi 1300 personave në Siri. Transporti i lëndëve kimike të rrezikshme është gjithashtu problematik dhe paraqet rrezikshmëri të madhe. Direktivat e BE-së dhe konventat e OKB-së kanë kufizime të forta lidhur me sasitë që lejohen të transportohen në varësi të mjetit të transportit. A mund ta imagjinojë dikush lëvizjen e mijëra kamionëve me gaz sarin nëpër rrugët e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit dhe të flejë i qetë? Edi Rama tentoi të ulë rëndësinë e 15-fishimit të turistëve në Shqipëri (nga 300 mijë në vitin 2005 në 4.5 milionë turistë në vitin 2012), duke thënë se do t’i japë një hop të ri turizmit. Por a mund të imagjinohet ndonjë turist që të vijë për turizëm në vendin që mund të kthehet në hot-spotin më të rrezikshëm të botës? Në rastin e mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri kemi pasur disa eksperienca që variojnë që nga largimi i mbetjeve të rrezikshme të Bisht-Pallës për në Gjermani në vitin 2006 dhe mbetje të tjera për në Greqi më 2009-2010, e deri tek inkapsulimet e mbetjeve të rrezikshme pranë vendndodhjes së tyre, si p.sh. inkapsulimi i mbetjeve të bakrit në Rubik, inkapsulimi i mbetjeve të arsenikut në Fier dhe inkapsulimi i mbetjeve të lindanit brenda ish-fabrikës së lindanit në Porto Romano. Të gjitha këto raste janë shoqëruar me debate me apo pa të drejtë të publikut, por gjithashtu janë kryer në respektim të standardeve më të larta të BE-së. Në rastin konkret ka disa pyetje që kanë nevojë për përgjigje në këtë grotesk: Pse fshihet lajmi nga shqiptarët prej një jave? Kush kërkon që Shqipëria të bëhet hot-spoti i botës? Kush nxjerr përfitime nga depozitimi dhe trajtimi i mbetjeve kimike në kurriz të shëndetit dhe jetës së shqiptarëve? A ia vlen një përfitim afatshkurtër politik me këtë lloj çmimi dhe rreziku për shëndetin dhe jetën e shqiptarëve? A do të bëhet ndonjë proces për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, apo ç’e do kot? Së fundi, z. Rama, a na sqaron dot si mendon të përballesh me këtë çështje? Duke u fshehur dhe duke e kryer operacionin në fshehtësi të plotë, në kundërshtim me ligjin? Duke u ankuar te një palë ndërkombëtare për një palë tjetër? Po ligjin e menaxhimit të integruar të mbetjeve do ta ndryshosh prapë duke ndaluar importin e mbetjeve të listës së gjelbër dhe lejuar importin e listës së zezë të mbetjeve? Apo ç’të duhet ty ligji? Ligji është jashtë mundësisë tënde perceptuese, ndaj dhe ligji të rrijë si të dojë, se ti je mbi të? Po publikut a do t’i sqarosh gjë, apo pse t’i çorodisim njerëzit me këto gjëra pa vlerë? Apo deviza e qeverisjes është: ato që kemi thënë dhe vendimet që kemi marrë më parë “ua lëmë arkeologëve dhe historianëve”. /Gazeta Panorama/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





