Transmetuar më 09-11-2013, 12:44

Në “Big Brother” duhet të luante me fjalën dhe strategjitë e të sjellit, ndërsa në “Dancing with the stars” duhet të jetë e lehtë si pupël për të triumfuar. Pasionin e saj për kërcimin, 24-vjeçarja nga Durrësi, Rike Roçi, e kishte deklaruar që në “BB6”, spektakli që e bëri të njohur në Shqipëri. Edhe pse një nga konkurrentet më seksi të “Dancing with the Stars”, në natën e parë të kësaj gare VIP-ash në “Vizion Plus” ajo nuk mundi të grumbullonte shumë pikë nga katër anëtarët e jurisë. Tashmë me kilogramë më pak, në këtë intervistë dhënë gazetës Panorama ajo tregon për ambiciet në këtë garë, arsyen pse nuk ndodhej në sallë i dashuri i saj italian prej shtatë vitesh, Dj. Luca Binatti, dhe miqësitë e krijuara në Tiranë me konkurrentët VIP.

Cila ishte dilema jote më e madhe për të pranuar ftesën e “Dancing with the stars Albania”? Dilemat e mia kanë qenë disa: projektet në Itali, familja dhe i dashuri. Por ja ku jam! Dua të theksoj që nga ky “show” dua të kem kujtime të bukura dhe t’ia kaloj mirë, s’dua të mendoj për asgjë tjetër. Por në natën e parë të “Dancing with the stars” ke zhgënjyer pak pritshmërinë e fansave të tu, duke u renditur ndër të fundit. Si u ndjeve? Në fakt, mëngjesin e asaj dite të parë të spektaklit dhe në vazhdim e kam përjetuar me shumë emocione. Mua në ekran m’u duk vetja mirë, por pikët e jurisë, siç i patë, ishin: 2, 3, 4, 4. Nuk ndihem shumë mirë me këtë rezultat, se kjo ndikon edhe në votimet e publikut e tek unë ndoshta… E ke njohur Ilir Shaqirin nga afër në Itali, si do e komentoje gjykimin e tij dhe të anëtarëve të tjerë të jurisë? Si do arrish t’i bësh për vete në javët në vazhdim?

Personalisht nuk e kam njohur Ilirin, por e kam ndjekur që e vogël në ekranet italiane. Për sa u përket gjykimeve, i përtypa ato çfarë u thanë meqë ishte nata e parë, por shpresoj që këtë të hënë të “Dancing” të prezantohem më mirë. Për bërjen për vete të anëtarëve të jurisë është ende herët për të thënë diçka konkrete. Por mikesha jote më e afërt me të cilën po kalon gjithë kohën në Tiranë, Flaka Krelani, triumfoi duke u renditur e para. Si e përjetove rezultatin e saj? Me Flakën jemi njohur kur erdhëm në Tiranë për “Dancing”, dhe patjetër që do bëheshim shoqe pasi qëndrojmë në të njëjtin hotel, drekojmë e darkojmë bashkë. Ndihem e lumtur për rezultatin e saj. Flaka e meriton, sepse është vërtet zjarr. Në “gold room” u vu re se një tjetër artist nga Kosova, Andos Sinani ishte pranë teje. Jeni miqësuar kaq shumë këto kohë? Vërtet? Kam qenë aq shumë e tensionuar, sa s’kam parë kë kisha afër. Por asgjë nuk është nga çfarë mund të mendohet. Është e vërtetë që ke pasur kontradikta me të dashurin italian,  Lukën, tani që ke vendosur të jesh pjesë e “DWS”? Nuk është e vërtetë që kam kontradikta me Lukën, madje ai është i lumtur me mua. Po pse nuk erdhi në Tiranë të të suportonte me prezencën e tij në sallën e “Dancing”? Nuk erdhi për arsyen se nuk mund të linte dot punën. Të ndoqi nga ekrani dhe çfarë të tha për performancën? Po. Luka më ka ndjekur bashkë me familjen, dhe për të patjetër që unë jam më e mira (qesh). Është e vështirë për ty të qëndrosh larg të dashurit, dhe ndikon kjo në rezultatet e tua në kërcim? Po është e vështirë për mua, por shpresoj të mos ndikojë për keq. Bëhet xheloz ai kur të sheh pranë të tjerë persona meshkuj në fotot që poston ti këto në rrjetet sociale? Si reagon? Jo, s’ka përse.

“Jam e lumtur me balerinin tim” Duket se ke humbur kilogramë tashmë që shfaqesh në ekran duke kërcyer. Me dashje apo nga lodhja gjatë provave kjo rënie në peshë?

Nuk jam peshuar ende, por shpresoj që të jetë kështu, edhe pse mund të kem rënë në peshë pa vetëdije, jo me qëllim nga unë. Ka feeling mes teje dhe balerinit, si ju shkon komunikimi? Komunikimi me Julind Dervishin më shkon shumë mirë. Ai është shumë profesionist dhe më shpjegon çdo gjë hap pas hapi. Jam e lumtur që është ai balerini im. Cilët nga VIP-at konkurrentë mendon se janë pretendentët kryesorë për çmimin e madh? Mua më duken të gjithë konkurrentët të mirë… Në këtë garë mes VIP-ash ndihesh superiore apo inferiore? Dua ta marr me pozitivitet këtë garë, dhe të kënaqem, që në fund të kem një kujtim të bukur. S’kam përse të ndihem superiore, “Sono abbastanza umile”. Pavarësisht rezultateve të fillimit, e sheh veten si fituese? Pse jo?! Nëse punoj pak më shumë, e të mund të largoj pak turpin dhe emocionet e skenës, ndoshta mund të shkoj larg në këtë garë. Tashmë që po shijon jetën e Tiranës, e ke menduar të rikthehesh përgjithnjë këtu? S’po e shijoj aspak jetën e Tiranës, pasi gjatë gjithë kohës jam vetëm në prova. Pjesa tjetër në hotel, restorant, kështu që mbetet pak kohë për t’u argëtuar dhe deri tani kam dalë shumë pak. Për rikthimin në Tiranë s’kam menduar ende.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit