Transmetuar më 08-11-2013, 21:31

Një apel domethënës nga Drejtoria e Policisë Rrugore

Tiranë, NOA.al – Drejtoria e Policisë Rrugore nisur nga normat dhe detyrimet e sjelljes së drejtueseve të mjeteve ka kërkuar të premten që të sjellë në vëmendjen e publikut në gjithë vendin rëndësinë e kontributit të secilit në respektimin e normave të qarkullimit rrugor.

Kjo drejtori tha mbrëmjen e sotme se në disa raste janë konstatuar, drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit, drejtimi i mjetit pa dëshmi përkatëse, largimi nga vendi i aksidentit, si dhe mosbindja e drejtuesve të mjeteve ndaj sinjalizimit të punonjësit të policisë.

Këto shkelje përbëjnë kundravajtje penale dhe dënohen sipas dispozitave të Kodit Penal. Ndaj vetëm sot, janë proceduar rreth 20 persona lidhur me shkeljet e mësipërme.

Shpeshherë sjellje të tilla janë shoqëruar me pasoja fatale. Pikërisht për këtë arsye në nenin 291 të Kodit Penal përcaktohet: “Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë dënohet me burgim deri në 3 vjet.”

Drejtoria e Policisë Rrugore e shikon shumë të rëndësishme që të sjellë në vëmendjen e gjithsecilit të kontribuojë në respektimin e rregullave të qarkullimit për ruajtjen dhe shpëtimin e jetëve të fëmijëve tanë dhe të çdo përdoruesi të rrugës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit