

Tiranë, 8 nëntor 2013, NOA.al- Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në një seancë dëgjimore në Komisionin për Politikën e Jashtme, deklaroi se po forcohen kushtet për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Ai theksoi se do të vijojë puna me reformat, duke synuar marrjen e statusit të vendit kandidat në mënyrë të merituar.
Ministri nënvizoi se viti i ardhshëm do të jetë vit vendimtar sa i takon procesit të integrimit.
Ndërsa sa i takon asgjësimit të armëve kimike të Sirisë, ai theksoi se Shqipëria ishte një vend që u kontaktua.
Ndërkaq Bushati bëri me dije se Kryeministri Edi Rama ka kontaktuar gjatë ditës së djeshme në telefon me sekretarin amerikan të shtetit John Kerry lidhur me këtë çështje, duke e cilësuar si një proces delikat.
Po ashtu ministri theksoi se vazhdojnë kontaktet, ndërsa shtoi se nuk është marrë asnjë vendim, duke e cilësuar gjithashtu si krenari faktin që Shqipëria është pjesë e konsultave.
Gjithashtu Bushati theksoi se Shqipëria është modeste për të bërë një akt të tillë, duke nënvizuar se nuk ka vend për alarm, pasi ka ende gjëra të paqarta lidhur me këtë proces.
Ndërsa gjatë pjesës së pyetjeve deputeti demokrat Aldo Bumçi u ndal sërish në çështjen e blerjes së votës në Korçë, duke bërë që të ndërhyjë kryetarja e komisionit Arta Dade, e cila kërkoi që të mos flitet për çështjet që nuk i takojnë Komisionit të Jashtëm.
Në vijim Bumçi theksoi se Edi Rama nuk ka shfaqur në asnjë moment interesimin e tij për procesin e integrimit.
Nga ana e tij kryediplomati shqiptar deklaroi se duhet treguar realist pasi statusi nuk është dhuratë e Partisë Demokratike dhe se arritjet nuk janë spektakolare. Sipas tij ecuria në procesin e integrimit është e përbashkët.
Sa i takon çështjes së blerjes së votës në Korçë ai tha se për këtë duhet drejtuar te organet përkatëse të cilat janë të autorizuara për zbardhjen e këtij rasti. Lidhur me pesë prioritetet ministri deklaroi se vështirësia më e madhe në këtë proces u takon atyre prioriteteve që kanë të bëjnë me fushën e gjyqësorit./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





