

Shkup, 8 nëntor 2013, NOA.al – Gazetari kontrovers dhe një nga kritikët e ashpër të Qeverisë, Zoran Bozhinovski u arrestua mbrëmë në Novi Sad të Vojvodinës, pas një fletëarresti të lëshuar nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë.
Bozhinovski është pjesë e grupit të akuzuar në operacionin “Spiuni”, i cili dyshohet për aktivitete të paligjshme spiunimi dhe bashkëpunim me shërbimet e huaja sekrete, duke dëmtuar interesat sekrete shtetërore. Bozhinovski është pronar i portalit informativ “Burevesnik” dhe se përmes tij kishte publikuar disa shkrime të ashpra dhe pretendime për afera lidhur me krerët më të lartë të Qeverisë dhe kryeministrit Gruevski.
Bozhinovski ka mohuar se është përfshirë në spiunim për shërbimet sekrete, për shkak se sipas tij, të gjitha informacionet që ka ai i publikon në portalin e tij informativ.
Në operacionin “Spiuni” siç raporton gazetari i Noa.al në Maqedoni Naser Pajaziti, u arrestuan 20 persona, mes tyre Marjan Maxhovski, shef i kabinetit të kryetarit të Parlamentit nga viti 2005, Miço Naskovski- ish-drejtor gjeneral i kompanisë “Beton”, Vane Cvetanov- ish-drejtor i Agjencisë kundër pastrimit të parave, gjenerali Goran Stojkov, si dhe persona të tjerë.
Ndaj tyre është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Edhe tre të tjerë konsiderohen të arratisur dhe policia është në kërkim të tyre. E përditshmja maqedonase “Dnevnik” kohë më parë shkroi se të dyshuarit për rastin “Spiuni” kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete greke dhe hungareze. Informacionet e siguruara shërbimet e huaja sekrete i paguanin me para, por edhe me kompensime tjera si pushime apo argëtime në pika turistike. Grupi i akuzuar thuhet se siguronte informacione për islamizmin radikal, zgjedhjet dhe zhvillimet politike si dhe informacione të klasifikuara të sigurisë./n.p/a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





