

Vetëm 16 këngë do të konkurrojnë për çmimin e parë të edicionit të 52-të të Festivalit të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar. Pasi janë dëgjuar të gjitha këngët e paraqitura, mbi 40 të tilla, pranë redaksisë së festivalit, juria profesioniste e udhëhequr nga Departamenti Muzikor kanë përzgjedhur vetëm 16, të cilat do të interpretohen live në skenën e Pallatit të Kongreseve përgjatë tri netëve.
Kjo ka qenë formula e festivalit të këtij viti, e aprovuar nga Bordi Drejtues i RTSH-së, i cili gjithashtu ka vendosur që ky edicion të zhvillohet në datat 26, 27 dhe 28 dhjetor.
Këtë vit drejtor i Festivalit do të jetë Alfons Zeneli, njëherësh edhe drejtor i Radio Tirana. Drejtorët Artistikë të festivalit do të jenë Edmond Zhulali dhe Shpëtim Saraçi, i cili të shtunën kthehet në Shqipëri, i gatshëm të fillojë punën.
Ndërsa producent muzikor do të jetë kompozitori Alfred Kaçinari. Regjia e festivalit të këtij viti i është besuar Petri Bozos, skenari Alda Bida ndërsa skenografia mjeshtrit Adnan Kastrati.
Formula e këtij viti parashikon që natën e parë të festivalit të prezantohen tetë këngë konkurente dhe tetë të tjerat natën e dytë. Përgjatë dy netëve të para në skenën e Festivalit të Këngës do të jenë të pranishëm edhe artistë të njohur, Big, të cilët do të këndojnë duete me konkurentët e këtij viti, këngë të njohura të kënduara përgjatë viteve në skenën e festivalit të RTSH-së çka do të shtojë edhe më shumë nivelin e performancës së këtij eventi.
Gjatë dy netëve të para nuk do të ketë seleksionim dhe në natën e tretë të 16 këngët konkuruese do të ngjiten në skenë duke i dhënë kështu mundësi publikut të njohë më mirë këngët dhe konkurentët e këtij viti. Sigurisht festivalit nuk do t’i mungojnë elementët e spektaklit, por edhe diskutimi apo hapsira të përcaktuara të kritikës.
Siç është bërë traditë e këtyre tre viteve të fundit secila prej këngëve konkuruese është e zbërthyer në partitura dhe interpretimi do të realizohet live, në shoqërinë e Orkestrës së RTSH-së.
Konkurrentët
Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, ngjarja më e rëndësishme e muzikës së lehtë, vjen në edicionin e tij të 52-të. Sa më shumë kalojnë ditët, aq më shumë i afrohemi tri netëve kur do të dëgjohen këngët që garojnë për çmimin e madh.
Në datat 26, 27 dhe 28 dhjetor, në sallën e Pallatit të Kongreseve, këngëtarët, kompozitorët dhe tekstshkruesit do të prezantojnë për publikun 16 këngë në konkurim si vlerë e shtuar në fondin e artë të muzikës së lehtë.
Përtej kësaj, sfida e secilit syresh është trofeu i madh që në të njëjtën kohë përkthehet edhe në biletën e artë për në Eurosong. Për të 11-ën herë, kënga fituese do të përfaqësoje Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës që do të mbahet në Kopenhagen, në 6, 8 dhe 10 maj 2014. Gjashtëmbëdhjetë është numri i këngëve që do të këndohen në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH. Pas datave të përcaktuar për pranimin e materilaeve muzikore dhe pas seleksionimit nga një staf profesionistësh, janë kualifikuar në cilësinë e këngëve pjesëmarrëse në edicionin e 52-të të Festivalit të Këngës, këto këngë:
1. Natë e parë Kompozitor: Endrit Shani Poet: Olti Curri Orkestrues: Endrit Shani Këngëtar: Venera Lumani & Lindi Islami
2. Jam larg Kompozitor: Vullnet Ibrahimi Poet: Vullnet Ibrahimi Orkestrues: Vullnet Ibrahimi Këngëtar: Besiana Mehmedi & Shkodran Tolaj
3. Vetëm për ty Kompozitor: Edmond Mancaku Poet: Alma Meraj Orkestrues: Edmond Mancaku Këngëtar: Edmond Mancaku & Saviana Vierdha
4. Grua Kompozitor: Endri Sina Poet: Sajmir Braho Orkestrues: Endri Sina Këngëtar: Sajmir Braho
5. Me ty Kompozitor: Klodian Qafoku Poet: Florian Zyka Orkestrues: Klodian Qafoku Këngëtar: Klodian Kacani
6. Kthehu Kompozitor: Marjan Deda Poet: Sokol Marsi Orkestrues: Marjan Deda Këngëtar: Luiz Ejlli
7. Ti mungon Kompozitor: Lambert Jorganxhi Poet: Florian Zyka Orkestrues: Lambert Jorganxhi Këngëtar: Marjeta Billo
8. Zemërim i një nate Kompozitor: Genti Lako Poet: Jorgo Papingji Orkestrues: Genti Lako Këngëtar: Hersi Matmuja
9. Në zemër Kompozitor: Sokol Marsi Poet: Sokol Marsi Orkestrues: Sokol Marsi Këngëtar: Rezarta Smaja
10. Nuk e di Kompozitor: Renis Gjoka Poet: Renis Gjoka Orkestrues: Genti Myftaraj Këngëtar: Renis Gjoka
11. Kur qielli qan Kompozitor: Xhejn & Enxhi Kumrija Poet: Xhejn Kumrija Orkestrues: Enxhi Kumrija Këngëtar: Xhejn & Enxhi Kumrija
12. Ëndrrat janë ëndrra Kompozitor: Xhejsi Jorgaqi Poet: Xhejsi Jorgaqi Orkestrues: Gjergj Jorgaqi Këngëtar: Xhejsi Jorgaqi
13. Princesha Kompozitor: Grupi LYNX Poet: Grupi LYNX Orkestrues: Grupi LYNX Këngëtar: Grupi LYNX
14. Mikja ime Kompozitor: Gramoz Kozeli Poet: Gramoz Kozeli Orkestrues: De Vox Këngëtar: Blerina Braka
15. Një ditë shprese Kompozitor: Frederik Ndoci Poet: Agim Doçi Orkestrues: Endri Sina Këngëtar: Frederik Ndoci
16. Jeta në orën 4 Kompozitor: Orges Toçe Poet: Orges Toçe Orkestrues: Orges Toçe & Markelian Kapedani Këngëtar: Orges Toçe
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





