Transmetuar më 06-11-2013, 16:32

Shkup, 6 nëntor 2013, NOA.al – Kryeministri shqiptar Edi Rama edhe në takimin me presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov ka vënë theksin në thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe përkushtimin në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike.

“Zbatim i marrëveshjes së Ohrit, me fokus arsimi. Paqja e vendosur në rajon është një hapësirë e re zhvillimi. U takon liderve politikë ta shndërrojnë këtë paqe në zhvillim ekonomik”, është shprehur Rama.

Presidenca pas takimit ka nxjerrë një njoftim duke pasqyruar takimin.

“Në këtë takim është biseduar për marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve dhe me këtë rast është konstatuar bashkërisht se marrëdhëniet politike po shënojnë trende pozitive, përmes një dialogu të vazhdueshëm dhe të frytshëm dhe se në të ardhmen dyja vendet duhet të fokusohen në mundësitë për përparimin dhe thellimin e bashkëpunimit në shumë fusha”, theksohet në njoftimin e kabinetit të presidentit Ivanov.

Nga burimet e korrespodentit të Noa.al në Maqedoni, Naser Pajaziti,  Ivanov dhe Rama kanë nënvizuar nevojën e fokusimit të të dyja vendeve për mirëqenien e qytetarëve, ekonominë, investimet, infrastrukturën dhe lidhjet midis dyja vendet. “Këto janë fushat që duhet të fokusojmë energjitë tona”, ka theksuar Ivanov. Presidenti i Maqedonisë ka shtuar se kryeministri Rama ka riafirmuar përkushtimin e shtetit shqiptar për të mbështetur Maqedoninë në anëtarësimin e saj të plotë në NATO. Rama më pas ka vijuar takimin me kryetarin e Parlamentit, Trajko Veljanovski, ndërsa më pas edhe takimet me krerët e partive shqiptare. /n.p/a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit