Transmetuar më 06-11-2013, 15:59

E ardhmja e sulmuesit të Borusias së Dortmundit Robert Levandovski, mbetet një nga temat më të debatueshme të merkatos, për faktin e thjeshtë se kontrata e tij me skuadrën e Jurgen Klop përfundon në fund të sezonit, citon Supersport.

Klubet më të mëdha europiane si Arsenal, Chelsea apo Manchester United, po studiojnë të gjitha mundësitë për të afruar 25-vjeçarin, i cili besohet se ka arritur një kontratë paraprake me Bayernin e Mynihut.

Kohët e fundit Levandovski është shprehur se në janar do të kalojë te kampionët në fuqi të Bundesligës në bazë të një marrëveshjeje të arritur gjatë verës, që nuk u konkretizua në atë kohë vetëm për shkak të një keqkuptimi.

Levandovski ua bën edhe një herë të qartë skuadrave që kërkojnë shërbimet e tij se ai tashmë gjithçka e ka vendosur, ndaj është e kotë që të tentojnë që t’i prishin mendjen.

“Ndihem shumë mirë në Dortmund, por kërkoj një sfidë të re sezonin e ardhshëm. Mund të them vetëm një gjë mbi të ardhmen: Që do ta bëj publik vendinin tim vitin e ardhshëm. Asnjë klub nuk duhet të më shqetësojë apo të më afrohet në këto momente. Unë jam i fokusuar te Dortmundi dhe nuk do të lejoj që të më tërheqin vëmendjen.”

Këto fjalë të sulmuesit të Dortmundit nuk lënë vend për hamendësime. E ardhmja e tij do të jetë në klubin bavarez.

Këtë fillim sezoni Robert Levandovski ka treguar formë të shkëlqyer, ku ka shënuar 13 gola në 17 ndeshje të zhvilluara në të gjitha kompeticionet.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit