

Prishtinë, 6 nëntor 2013, NOA.al – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i cili do të përballet me nënkryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti më 1 dhjetor në zgjedhjet e balotazhit për Prishtinën, është shprehur i bindur se partia e tij do të dalë fituese në këtë garë.
“Mbështetja e fuqishme që ju dha Lidhjes Demokratike anë mbanë Kosovë na jep forcë të vazhdojmë punën e madhe që kemi bërë bashku me ju dhe na inkurajon të vazhdojmë me vendosmëri garën e mëtejshme për të konfirmuar fitoren edhe në rrethin e dytë”, tha Mustafa, raporton gazetarja e Noa.al në Prishtinë, Tinka Kurti.
Ai ka thënë se siguron se ato programe që janë premtuar nga kandidatët për kryetarë komunash do të zbatohen ashtu siç janë premtuar.
Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar një rritje jashtëzakonisht të madhe në nivel vendi, ku nga numërimi prej 98% të votave të kryetarëve të komunave, tregohet një rritje prej 50 345 vota në krahasim me vitin 2009 dhe një rritje prej 56 634 vota në krahasim me zgjedhjet e vitit 2010. Kurse lidhur me koalicionet në komuna, Mustafa tha se do të konsultohet me anëtarët e partisë së tij./t.k/a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





