



Një makinë e vërtetë lufte, goli i Ronaldos ndaj Juventusit shërbeu për të thyer plot 4 rekorde, dy invidiualë dhe dy kolektive, çka është demonstrimi më i mirë që tregon se në çfarë niveli udhëton sulmuesi portugez.
Me finalizimin në portën e Buffon, i 14-ti për të në këtë vit kalendarik në Champions, Cristiano la pas Lionel Messin me 13 golat e tij në 2012 në Champions League. Ky ishte goli i 59 i luzitanit në kompeticionin madhor, shifër me të cilën barazon Andrey Shevchenkon, ndërsa para tij janë Lionel Messi me 63 finalizime dhe Raul me 71.
Me golin e tij të tetë në këtë sezon të Championsit, Ronaldo barazon rekordin e Inzaghit përsa i përket finalizimeve në katër ndeshjet e para të fazës së grupeve.
Goli i Ronaldos i shërbeu edhe Realit të Madridit si klub që të thyejë dy rekorde. Bëhet i pari klub në gjithë historinë e kompeticioneve europiane që shënon në 20 ndeshje radhazi në transfertë, dhe veç të tjerash Reali barazon dhe regjistrat e Barcelonës, që nga viti 2009 deri në 2012 shënoi në 29 ndeshje rradhazi.
Vetë Ronaldo padyshim që është i lumtur, por motoja e tij është "dua më shumë" e ndoshta është pikërisht kjo ambicie ajo që e shtyn përpara duke dhuruar përditë e më tepër nga klasi i tij.
“ Jam shumë i lumtur. Ky është një moment i madh për karrierën time. Ndjej afeksionin e tifozëve dhe përpiqem gjithmonë të jap më të mirën time. Nuk shqetësohem për rekordet, ato vijnë në mënyrë natyrale.
Është diçka pozitive, por unë dua të fitoj më shumë dhe të jem më i mirë në të ardhmen. I dinim vështirësitë që do ta hasnim ndaj Juventusit. Në pjesën e parë vuajtëm, por në të dytën reaguam si duhet dhe ishim ne më mirë.
Ne ende jemi duke u përmirësuar si skuadër. Për mendimin tim mund të luajmë shumë më mirë, por ne do ta bëjmë këtë hap pas hapi”.
Ronaldo gjithashtu shprehu bindjen e tij se Juventusi do të arrijë të zërë vendin e dytë në Grupin B duke u kualifikuar në 1/8 e Champions League, ndërsa refuzoi të përfshihej edhe një herë në polemikat e ngritura në lidhje me presidentin e FIFA-s Sepp Blatter, i cili mbështeti Lionel Messin në garën për Topin e Artë duke i lejuar vetes dhe të imitonte portugezin.
“Unë përgjigjet e mia i jap vetëm në fushë dhe jo jashtë saj. Gjithçka që mund të them është se ndihem shumë mirë për momentin”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





