

Fier, 6 nëntor 2013, NOA.al- Policia e Fierit ka bërë të mundur arrestimin e pesë punonjësve të kompanisë së naftës “Albpetrol”.
Nga të dhënat paraprake siç raporton Noa.al, mësohet se pesë punonjësit akuzohen për shpërdorim detyre.
Të ndaluarit u identifikuan si Shpëtim Ramaj, 49 vjeç, president i një firme private, Vilson Ndoni 32 vjeç, me detyrë ekonomist në “Albpetrol SH.A”; Vladimir Xhaferaj, me detyrë inxhinier teknik në “Albpetrol SH.A”; Gramoz Kodhelaj, 55 vjeç, me detyrë ekonomist në “Albpetrol SH.A”; Hill Gjeka, 47 vjeç, me detyrë Drejtor i Ndërmarrjes së Nxjerrjes së Naftës në “Albpetrol SH.A”; Dhionis Ceco, 60 vjeç, banues në Fier, me detyrë ekonomist në “Albpetrol SH.A”.
Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer blerjen e një autosondë me kullë 30 tonësh me vlerë 47.640.000 lekë, të cilën nuk rezulton ta kenë blerë nga kontraktori firma Abajera sh.p.k Patos, sipas kushteve të përcaktuara në dokumentet e tenderit.
Për këta shtetas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si të dyshuar për veprat penale “Mashtrim” dhe “Shpërdorim detyre” e kryer në bashkëpunim.
Krahas zyrtarëve është kryer edhe arrestimi i administratorit të një shoqërie private, i cili nëpërmjet mashtrimit i ka shitur kompanisë "Albpetrol" autosondën jashtë kushteve teknike dhe duke ndryshuar vlerën e tij./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





