Transmetuar më 05-11-2013, 10:25

Tiranë, 5 nëntor 2013, NOA.al- Gjatë një simpoziumi mbi etikën në gjyqësor ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë Aleksandër Arvizu nënvizoi rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit si të një rëndësie të veçantë.

Sipas tij pavarësia  gjyqësorit do të thotë të flasësh vetëm mbi ligje dhe mbi fakte, duke inkurajuar vazhdimin e progresit me synim garantimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, duke ofruar ndihmën e SHBA në të gjitha format e mundshme për të garantuar pavarësinë. Ambasadori amerikan theksoi se duhet më e mira për institucionet.

Nga ana e tij Presidenti Bujar Nishani deklaroi se Shqipëria ka pësuar shumë ndryshime në gjyqësor gjatë këtyre viteve, duke theksuar se ekziston një trup gjyqësore e konsoliduar.

“Kërkohen angazhime të vetë institucioneve shqiptare, ndaj dua të shpreh mirënjohjen për ndihmën e pakursyer dhe bashkëpunimin me partnerët tanë, veçanërisht atë të SHBA dhe misioneve të tjera të atashuara pranë institucioneve ligjzbatuese shqiptare”, u shpreh Nishani.

Po ashtu ai shtoi se sfida për shtetin ligjor është një sfidë e cila nuk përfundon kurrë por që kërkon standardet e veta, duke shtuar se nevojitet orientim drejt standardeve që kërkohen për shërbimin që duhet të marrë qytetari.

Kreu i Shtetit theksoi se është i vetëdijshëm se në radhët e qytetarëve ekziston mungesa e besimit në drejtësi, duke vënë theksin se nuk është e drejtë që e tërë trupa gjyqësore të barazohet me performancën e një numri të kufizuar, për të cilët shtoi se duhet të ndeshen me padi penale. Sipas tij kurimi dhe kuruesi më i mirë i sistemit gjyqësor, është dhe duhet të jetë vetë komuniteti i gjyqtarëve dhe sistemi i gjyqësorit.

Presidenti pohoi se ka gjyqtarë e prokurorë të korruptuar ashtu sikurse ka gjyqtarë e prokurorë kurajozë, duke stimuluar të ndiqen shembujt pozitivë./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit