Transmetuar më 05-11-2013, 10:08

Legjenda e Brazilit, Pele mendon se mungesa e eksperiencës bën që Neymar të mos jetë në të njëjtin nivel me Messin, por pavarësisht kësaj, i bindur deklaroi se ai është një nga lojtarët më të kompletuar në botë.

Në sezonin e tij të parë me Barcelonën që prej transferimit nga Santosi, 21-vjeçari Neymar numëron 4 gola dhe 8 asist në 15 ndeshje, ndërkohë që ylli argjentinas ka arkivuar 12 gola dhe 4 asist në 14 takime të luajtura.

Për Pelen, bashkëkombasi i tij mund të bëhet një nga sulmuesit më elegantë të planetit, por beson se duhet t’i jepet më shumë kohë që të përshtatet me aventurën që ka nisur në Europë, citon Supersport.

“Ka shumë lojtarë të mirë, por zgjedhja për fituesin e Topit të Artë duhet të jetë mes Messit e Ronaldos. Neymar mund të bëhet më i miri në botë, por ka lojtarë të tjerë që janë 4 apo 5 vjet para tij, siç është Messi.

A do të bëhet apo jo Neymar një idhull te Barcelona, këtë nuk mund ta them, por jam i bindur se ai do të bëhet një nga lojtarët më të kompletuar dhe ndonëse nuk ka eksperiencën e Messit dhe Ronaldos, ai është një nga më të mirët që ka Brazili”.

73-vjeçari ikonë e futbollit brazilian foli edhe për Diego Costan, duke i dalë në mbrojtje sulmuesit të Atletico Madrid.

“Mendoj se vendimi i Diegos duhet respektuar. Ai u përpoq të shpjegonte se nuk ishte pritur mirë në kombëtaren braziliane dhe për këtë arsye mori vendimin që të luajë për Spanjën.

Sjellja e tij ishte shumë korrekte, gjeti kurajon për të vendosur dhe ky vendim që ka marrë duhet të respektohet nga të gjithë”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit