

Tiranë, 5 nëntor 2013, NOA.al- Gjatë nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane, zëvendëskryeministri Niko Peleshi, vlerësoi rolin e Gjermanisë në Shqipëri, si për sa i takon miqësisë midis dy vendeve edhe në procesin e integrimin.
“Gjermania ka rol kryesor në zhvillimin ekonomik të vendit, duke dhënë mbështetje teknike në arsim, reforma e punësim. Gjermania është donatori i dytë më i madh për Shqipërinë nga viti 2000- 2012”, u shpreh Peleshi, duke nënvizuar kontributin e këtij shteti.
Në vijim ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së qeverisë gjermane për çuarjen përpara të projekteve të përbashkëta, me synim dhënien e rezultateve të pritura.
Nga ana e tij ambasadori i Gjermanisë Helmut Hoffman deklaroi se dëshira për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën drejt integrimit është një urë tjetër lidhëse mes dy vendeve.
Ambasadori theksoi mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë në rrugën e integrimit, duke theksuar se kjo tregon edhe praninë aktive në vend të projekteve gjermane.
Sipas tij Shqipëria gëzon potencial të madh, ndaj do të vijojë më tej mbështetja, për të çuar përpara sukseset e mëdha të përbashkëta./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





