Transmetuar më 04-11-2013, 13:18

Shtohen dyshimet për komplot dhe revoltë të lojtarëve kundër Roberto Mancinit, gjë që solli shkarkimin e trajnerit italian, dy ditë pas humbjes së Manchester City në finalen e FA Cup me ekipin e Wigan në Maj të këtij viti, citon Supersport.

I pari që rrëfehet është Edin Dzeko. Sulmuesi boshnjak pohoi në një intervistë se kishte kontakte të vazhdueshme me presidentin e klubit, Khaldoon Al Mubarak, tek i cili ankohej pa rezerva për teknikun Mancini.

“Arsyet për pakënaqësitë e mia ishin shumë të thjeshta. Mancini më linte shpesh herë në stol dhe mua më dukej absurde. I tillë ishte rasti kur nuk më aktivizoi pasi kisha shënuar 4 gola kundër Tottenhamit në Gusht të vitit 2011.

Kam diskutuar shumë herë me Mancinin për këtë çështje dhe në fund mendimet tona ishin krejt të ndryshme. Bisedat me presidentin kanë qënë të rezervuara, asnjëherë në prani të lojtarëve të tjerë, por e di shumë mirë që në skuadër kishte të pakënaqur të tjerë. Disa ditë pas ardhjes së Pellegrinit, presidenti i klubit më pyeti nëse jam i kënaqur tani”.

Fjalët e Dzekos konfirmojnë qartë zërat që kanë qarkulluar se shkarkimi i Mancinit erdhi pas një lufte të brendshme për pushtet.

Kundër trajnerit italian, që aktualisht ndodhet te Galatasaray, nuk ishin vetëm lojtarët, por edhe drejtuesit e rinj të ardhur nga Spanja, si Begiristain dhe Soriano, si dhe zyra e shtypit, nga e cila disa ishin larguar për shkak të bëmave të Balotellit.

Nuk do të ishte aspak çudi që edhe për këto ngjarje, shumë shpejt të publikohet një autobiografi, siç është kthyer në modë me rrëfimet më të fundit të Ferguson dhe Eriksson.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit