Transmetuar më 03-11-2013, 15:37

Përfaqësues të Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur për radion Evropa e Lirë se deri më tani hetuesit policor nga të gjitha drejtoritë rajonale kanë iniciuar shtatë raste që lidhen me vepër penale dhe 18 persona janë shoqëruar në polici.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu thotë se kryesisht këto raste janë të natyrave të lehta dhe po hetohen nën autorizimin e prokurorit përkatës.

“Mund të them që deri më tani, që nga fillimi i operacionit të policisë nuk është raportuar për ndonjë incident serioz, që mund të pengonte procesin zgjedhor. Deri më tani hetues policor nga të gjitha drejtoritë rajonale në konsultim dhe me autorizim të prokurorëve përkatës, kanë inciuar shtatë raste që lidhen me vepër penale dhe janë shoqëruar 18 persona për raste të ndryshme”, thekson ai.

Numri më i madh i këtyre incidenteve ka ndodhur në rajonin e Prishtinës, në komunën e Podujevës, Lipjan, Drenas dhe një rast në rast në komunën e Istogut.

Kryesisht rastet që janë proceduar në gjykatë sipas Brahim Sadiut kanë të bëjnë pengim në procesin zgjedhor si dhe presion për të votuar për ndonjë subjekt të caktuar politik.

Ndryshe, pjesëmarrja në zgjedhjet lokale në Kosovë, deri në orën 11:00, ka arritur deri në 12 % në gjithë territorin e Kosovës, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Një vëmendje e posaçme po i kushtohet situatës në veri, prej nga raportohet për disa pengesa. Në veri të Mitrovicës është shënuar dalja prej 2.9 % deri në orën 11:00

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha për Radion Evropa e Lirë se disa grupe të caktuara në veri, "nuk janë duke lejuar qytetarët që lirshëm të shprehin vullnetin e tyre qytetar për të votuar".

Daka tha se "para dhe gjatë fillimit të hapjes së vendvotimeve komisionarë janë penguar në punën e tyre".

“Për këtë gjendje janë informuar edhe Policia e Kosovës edhe institucionet e tjera relevante. Mirëpo, do ta njoftojmë edhe Bashkimin Evropian, edhe misionin e OSBE-së, edhe pse OSBE-ja është e informuar, sepse është në pjesën veriore”, u shpreh ajo.

Zonja Daka tha se me gjithë ato reagime nga grupe të caktuara, komisionarët janë duke qënderuar në vendvotime.

“Ata janë aty në këshillat e vendvotimeve, janë brenda, janë duke punuar dhe do ta shohim më tutje situatën”, deklaroi Daka.

Thirrjet për bojkot

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në veri, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se gjendja e sigurisë në veri është kryesisht e qetë. Megjithatë, ai bëri të ditur se në tri lokacione në afërsi të qendrave të votimit, disa qytetarë janë duke bërë thirrje për të bojkotuar procesin e votimit.

"Së paku në tri lokacione të ndryshme të qendrave të votimit kemi grupe të qytetarëve, të cilët thërrasin për bojkotim të këtyre zgjedhjeve. Këta persona po qëndrojnë në një distancë më të largët nga qendrat e votimit dhe nuk kemi të bëjmë me bllokim të hyrjeve drejtpërdrejt me qendrat e votimit, por vetëm me shprehje të pakënaqësisë së tyre me këtë aspekt të votimit. Thjesht, ata thërrasin njerëzit për bojkotim të këtyre zgjedhjeve”, tha Hoti.

Hapen të gjitha vendvotimet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, janë hapur qendrat e votimit.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se procesi i votimit është duke shkuar mirë, me përjashtim të një qendre votimi në veri të Mitrovicës.

“Është vetëm një vendvotim në Mitrovicën veriore, i cili për disa shkaqe teknike nuk është hapur ende; ndryshe të gjitha qendrat e votimit janë hapur”, deklaroi Daka në takimin e parë për sot me gazetarët.

Kryetareja e KQZ-së tha se deri me tash nuk ka raportime për incidente apo parregullsi eventuale.

Sipas të dhënave zyrtare të prezantuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në garën për t’u zgjedhur kryetar në 38 komuna të Kosovës, janë 224 kandidatë, kurse për asambelistë komunalë garojnë 7,704 kandidatë.

Lista përfundimtare e votuesve 2013 përmban 1, 779 357 emra të votuesve të ndarë në tridhjetetetë komuna, me një rritje prej 191 103 apo 11.72 për qind në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Numri i qendrave të votimit është 798 (52 qendra të reja të votimit nga ato që kanë qenë në zgjedhjet e kaluara), ndërsa numri i vendvotimeve është 2, 366, me një rritje prej 86 vendvotimesh nga zgjedhjet e kaluara.

Gjithashtu lista e votuesve jashtë Kosovës 2013, përmban të gjithë votuesit të regjistruar suksesshëm. Numri i përgjithshëm i votuesve jashtë Kosovës është 8, 383.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit