Transmetuar më 03-11-2013, 13:58

Përditësuar 22:49 – Çamët kanë vendosur që ta presin me protesta vizitën e Presidentit të Greqisë, Karolos Papulias, i cili nis një tur dyditor në Shqipëri, fillimisht me takim sot në mbrëmje me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.

Kryetari i Shoqatës Çamëria, Ardian Tana, në një dalje për mediat sot, ftoi që “çdo shqiptar të marrë pjesë të hënën në orën 10.00 në tubim para Presidencës, me rastin e vizitës së Presidentit grek Karolos Papulias në Tiranë. Në mbrëmje, nga PDIU u bë e ditur se protesta e neserme e organizuar nga Shoqata Cameria do te zhvillohet perpara Piramides dhe jo para Presidencës. PDIU sqaroi se ndryshimi i vendit të organizimit u be nga Policia e Tiranës.

Reagimi i shoqatës Çamëria në lidhje me anulimin e vendit të protestës 

Me shumë keqardhje mësuam për anulimin e vendit të zhvillimit të protestës së shoqatës Çamëria me rastin e ardhjes së presidentit grek Papulias. Protesta jonë do të zhvillohet para sheshit të piramidës në Bulevardin ‘‘Dëshmorët e Kombit’’, në orën 10.

Ky vendim ngjan se është pasojë e ndonjë imponimi të momentit të fundit prej palës greke dhe e gjitha kjo nuk të lë shije të mirë. Është diçka që shkon ndesh ndaj disa të vërtetave që lidhen me zotin Papulias.

Frika nga protesta e shoqatës nuk duhet të kishte ardhur prej dikujt që ka luftuar në radhët e Rezistencës greke së bashku me Batalionin Çamëria, me bashkështetasit e tij të mëhershëm.

Frika nga protesta e bashkështetasve të mëhershëm nuk është normale për dikë si Presidenti Papulias, që ka origjinë shqiptare, që është çam ortodoks nga fshati Voshtinë, fshat të cilit shteti grek si konfirmim të genocidit dhe kulturor ndaj racës shqiptare i ka ndërruar emrin.

Frika nga shqiptarët çamë nuk është e natyrshme për një njeri si Presidenti Papulias që është rritur me Fuat Boçin ( lipe shtogun ) e ndaj duhet të vije për të dhënë zgjidhje e paqe që fillon nga Drejtësia .

I nderuar zoti Papulias, bashkëqytetari ynë ju kishit pra shumë arsye të mos tregonit frikë. Të vinit dhe të ofronit një zgjidhje për komunitetin çam, zgjidhje të themeluar mbi paqe që buron nga drejtësia. Ligjin e Luftës e keni ju ende në fuqi zoti President dhe jo Shqipëria e cila e ka abroguar me kohë. Ligjet antieuropiane kundër komunitetit çam, ligje që na kanë grabitur, që ja kanë mbyllur dyert rikthimit tonë krejt ndryshe me të ikurit e tjerë të Luftës me origjinë etnike greke të së majtës dhe të djathtës, i keni ju në fuqi. Ne nuk kemi as ligje kundër grekëve, dhe as duam luftë ndaj tyre, veçanërisht në kohët tona.

Zoti Papulias, ju duhet të keni frikë nga reagimet e Agimit të Artë, gjarpërit që ju e mbajtët shumë gjatë në gji, dhe që tani doni t’i këpusni kokën. Ju nuk duhet të keni frikë prej komunitetit çam, subjekteve çame që e kanë të mbështetur ekzistencën e tyre në vlerat e demokracisë europiane dhe jo mbi nazizëm apo mbi fashizëm si pasardhësit gjenetikë dhe politikë të kasapit Zervas.

Ne s’donim ta besonim se frika ende udhëzon veprimet tuaja politike zoti Papulias. E besonim këtë për kthimin tuaj të parë në Sarandë, por jo për sot nisur nga vitet që keni në supe, dhe pesha e drejtësisë hyjnore që ju rëndon apo duhet të rëndojë qenien tuaj njerëzore dhe politike. Para Zotit do të japin llogari viktimat dhe xhelatët zoti Papulias dhe ne besonim se ju ishit në anën e viktimave ashtu siç kishit lënë të kuptoheshit 20 vite më parë. Ndaj rrini i qetë zoti Papulias dhe zoti ju mëshiroftë për frikën e treguar.

Politikisht duam t’ju themi se ne protestën do ta zhvillojmë. Si para Presidencës, qoftë në një shesh tjetër, ne duam t’ju tregojmë shurdhëve, apo strucëve të politikës greke se çështja çame ekziston dhe do të ekzistojë në jetë të jetëve nga brezi në brez. Sa kohë të ekzistojnë varret masivë pa monumente dhe nderime në tokën e zotit Papulias, sa kohë të mbahen mend tregimet e tmerrshme të masakrave treguar nga gjyshërit tanë, sa kohë të ekzistojë vetëdija jonë kombëtare e ushqyer nga këngët dhe vallet që ndien dhe zoti Papulias, do të ekzistojë dhe çështja çame. Për pasojë sa të ekzistojë si e pazgjidhur çështja çame do të ketë gjithmonë protesta paqësore për zotin Papulias dhe bashkëpolitikanët e tij.

"Problemi çam ekziston, koha nuk pret më"

Për çamët, vizita e Presidentit grek Karolos Papulias në Shqipëri, është rasti më i mirë që shoqata Çamëria t’i bëjë të ditura institucioneve greke në nivelin më të lartë, se problemi çam ekziston dhe se koha nuk pret më për zgjidhjen e tij.

Afro 20 vjet më parë, në vitin 1994, – solli në vëmendje Tana, – në cilësinë e ministrit të jashtëm, zoti Karolos Papulias i kishte thënë homologut të vet shqiptar, Alfred Serreqi, se çështja çame nuk mund të zgjidhej atëherë kur plagët ishin ende të hapura dhe se do duhej të kalonin 20 vjet, që ajo të përballohej qetësisht.

Duke respektuar rekomandimin e tij, – vazhdoi Tana, – ne besojmë se zoti Papulias nuk do të tërhiqet nga ajo çfarë ka thënë 20 vjet më parë. Për disa arsye.

“Ne e dimë se Presidenti grek është njeri i Rezistencës antifashiste, diçka që i bën atij vend nderi në historinë e sotme të Greqisë dhe në atë të rajonit. Si i tillë ai duhet të kujtojë përpjekjet e përbashkëta të shqiptarëve çamë dhe grekëve në lëvizjen antifashiste : EAM dhe ELLAS, të ligjëruara dhe nëpërmjet Marrëveshjesh bashkëpunimi si Marrëveshja e 10 gushtit në Konispol”, – ka theksuar Tana.

Ai shtoi se janë mbi 500 bij e bija  të Çamërisë te rreshtuar në radhët e lëvizjes antifashiste greke, Lëvizje ku militoi dhe Presidenti Papulias, dhe ai s’duhet të mohojë bashkëluftëtarët e vet për të justifikuar genocidin mbi Camërinë, siç ka bërë Agimi i Artë dhe  ndonjë forcë tjetër politike greke.

Tasna më tej vijoi: “Janë 5000 të vrarë, të dhunuar, të përdhunuar nga bandat e Zervas, mbi 35 mijë të dëbuar, mijëra shtëpi dhe prona të shkatërruara dhe grabitura, që s’mund të justifikohen me manipulime të historisë”.

Në këtë pikë, vijnë edhe kërkesat e çamëve ndaj Athinës zyrtare: “Ne i kërkojmë Presidentit grek të rreshtohet me atë pjesë përparimtare të qarqeve akademike, të shoqërisë civile greke që e pranon fajin e vendit të vet ndaj komunitetit çam dhe kërkon pagimin e këtij borxhi që gjendet në sirtarët e historisë. Në emër të Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve, Greqia duhet të abrogojë të gjithë ato ligje që bien ndesh me të,  në veçanti Ligjin e Luftës. Në kuadër të zbatimit të detyrimeve greke ndaj këtij Traktati duhet të njihen detyrimet ndaj popullsisë çame dhe shqiptare në përgjithësi, sa i takon pranimit të fajit për genocidin, njohjes së të drejtave themelore të njeriut, ku përfshihet e drejta për restaurimin e shtetësisë, të drejtat pronësore, ato kulturore, gjuhësore, etj. Në veçanti, meqenëse Greqia vazhdon të insistojë për ngritje varrezash të tjera ushtarësh grekë në Shqipëri, diçka që provokon kujtesën tonë kombëtare, ne i kërkojmë zotit Papulias të pranojë ngritjen në Greqi të varrezave të komunitetit çam, dhe të monumenteve që përkujtojnë dëshmoret tanë në luftën antifashiste dhe viktimat e pafajshme të një faqeje të turpshme të historisë së vendit fqinj”. /a.a/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit