
Pas fushatës 30 ditore dhe një dite heshtjeje, sot nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 19:00 të mbrëmjes, qytetarët e Kosovës do të hedhin votat e tyre për kandidatët e 103 subjekteve politike për kryetar të komunave dhe asamblistët komunalë.
Sipas të dhënave zyrtare të prezantuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në garën për t’u zgjedhur kryetar në 38 komuna të Kosovës, janë 224 kandidatë, kurse për asamblistë komunalë garojnë 7,704 kandidatë.
Lista përfundimtare e votuesve 2013 përmban 1, 779 357 emra të votuesve të ndarë në tridhjetetetë komuna, me një rritje prej 191 103 apo 11.72 për qind në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
Numri i qendrave të votimit është 798 (52 qendra të reja të votimit nga ato që kanë qenë në zgjedhjet e kaluara), ndërsa numri i vendvotimeve është 2, 366, me një rritje prej 86 vendvotimesh nga zgjedhjet e kaluara.
Gjithashtu lista e votuesve jashtë Kosovës 2013, përmban të gjithë votuesit të regjistruar suksesshëm. Numri i përgjithshëm i votuesve jashtë Kosovës është 8, 383.
Në krahasim me zgjedhjet e kaluara, janë 6, 743 votues më shumë, që janë regjistruar për të votuar përmes postës.
Kjo listë e votuesve është bazuar në Ekstraktin e Regjistrit Civil. Ky ekstrakt është përpiluar nga Agjencia e Regjistrimit Civil, gjegjësisht Departamenti i Prodhimit të Dokumenteve në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Problemi me këtë ekstrakt dhe listë votuesish është se aty figurojnë edhe emrat e personave të vdekur, apo edhe atyre në migracion, për të cilët ka disa rregulla tjera për votim.
Interesim edhe ndërkombëtar për zgjedhjet e 3 nëntorit
Zgjedhjet lokale 2013 në Kosovë, po përcillen me interesim jo vetëm nga opinioni i brendshëm, por edhe ai ndërkombëtar.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, komisionari për Zgjerim, Stefan Fule, si edhe ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracy An Jacobson, kanë bërë thirrje për zgjedhje fer, të lira, demokratike e gjithëpërfshirëse.
Një dimension shtesë për interesimin ndërkombëtar për këto zgjedhje është organizimi i tyre në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.
Organizimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës, po bëhet në bashkëpunim me OSBE-në dhe paraqet herën e parë që komunat e atjeshme përfshihen në një proces të organizuar sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.
Krahas interesimit politik, këto zgjedhje do të jenë të monitoruara nga një numri i madh vëzhguesish vendas e ndërkombëtarë.
Rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” paraqet koalicionin më të madh që do të monitorojë zgjedhjet me mbi 1.600 monitorues në terren.
Kurse, nga faktorët e jashtëm në Kosovë ka tashmë rreth 100 vëzhgues nga BE-ja, po ashtu edhe Parlamenti Evropian ka dërguar ekipe vëzhguese, si dhe 34 janë nga organizata “ENEMO”.
Në përgjithësi, sipas të dhënave zyrtare në gjithë Kosovën janë akredituar 28 mijë e 720 vëzhgues. Aty hyjnë vëzhgues të partive politike, nismave qytetare, ambasadave, organizatave ndërkombëtare si edhe organizatave jo qeveritare vendore dhe një institucioni ndërkombëtarë.
Që zgjedhjet të kalojnë mirë edhe për kah aspekti i sigurisë, Policia e Kosovës ka premtuar angazhim maksimal, kurse në veri do të ndihmohet edhe nga Policia e EULEX-it.
Në fund të ditës, interesimi i të gjithëve mbase do të jetë rezultati i zgjedhjeve.
Ndërsa, KQZ-ja nuk ka parashikuar ndonjë afat kohor kur mund të dalë me ndonjë rezultat preliminar, “Demokracia në Veprim” ka komunikuar tashmë se sa më parë që të mundet pas mbylljes së vendvotimeve, do të publikojë rezultatet paraprake për kryetar në tetë komuna: Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Pejë dhe Leposaviq.
KQZ: Të gjitha vendvotimet janë hapur
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, janë hapur qendrat e votimit.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se procesi i votimit është duke shkuar mirë, me përjashtim të një qendre votimi në veri të Mitrovicës.
“Është vetëm një vendvotim në Mitrovicën veriore, i cili për disa shkaqe teknike nuk është hapur ende; ndryshe të gjitha qendrat e votimit janë hapur”, deklaroi Daka në takimin e parë për sot me gazetarët.
Kryetareja e KQZ-së tha se deri me tash nuk ka raportime për incidente apo parregullsi eventuale.
Policia, plan special për sigurinë në zgjedhje
Më shumë se pesë mijë e pesëqind policë kosovarë do të jenë në detyrë më 3 nëntor, me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Zyrtarët e Policisë deklarojnë se në bazë të planit operacional, janë marrë të gjitha masat që gjendja e sigurisë të jetë e qetë.
“Janë marrë të gjitha masat nga ana e policisë, për kryerjen e të gjitha detyrave policore që ndërlidhen me procesin zgjedhor dhe janë bërë disa përgatitje në të gjitha drejtoritë rajonale. Faza e tretë e planit nënkupton ditën ‘Z’, apo ditën e zgjedhjeve ku kryesisht aktivitetet e policisë janë përcjellja e materialit sensitiv nga depot nëpër qendrat e votimit dhe menaxhimi i situatës së sigurisë në qendrat e votimit”, tha Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë së Kosovës.
Nga ana tjetër, edhe zyrtarët e EULEX-it, thanë se policia e EULEX-it do të mbështesë Policinë e Kosovës me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe do të jetë në gjendje gatishmëri për çdo gjë.
Zëdhënësi EULEX-it, Blerim Krasniqi, shpjegoi për radion Evropa e Lirë se që nga shtatori, misioni ka punuar me Policinë e Kosovës sa i përket përgatitjeve për zgjedhjet dhe ka dhënë këshilla për hartimin e planit operacional të Policisë së Kosovës.
EULEX-i, tha Krasniqi, do t’i kushtojë vëmendje të veçantë veriut të Kosovës me rastin e zgjedhjeve dhe për këtë arsye, u shpreh ai, do të rritet prania e policisë në veri gjatë zgjedhjeve.
“Këshilltarët rajonalë dhe mobilë të EULEX-it, si dhe këshilltarët kryesorë të nivelit qendror, janë në detyrë këtë të diel. Në kapacitetin e tij ekzekutiv, EULEX-i do të shërbejë si reagues i dytë në rast të incidenteve të sigurisë. Duhet theksuar se çdo veprim do të koordinohet ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, deklaroi Krasniqi.
Bëhet e ditur se EULEX-i, do të sigurojë mbështetje logjistike për misionin vëzhgues të BE-së, dhe gjithashtu do të japë mbështetje logjistike për personelin e OSBE-së në administrimin e tyre të zgjedhjeve.
Me rastin e zgjedhjeve lokale, më tre nëntor, autoritetet e rendit thanë se kanë plan unik operacional për gjithë vendin, duke hedhur poshtë zërat se për pjesën veriore të Kosovës ka plane të veçanta.
“Për gjithë territorin e vendit është plani i njëjtë, edhe në veri edhe në të gjitha pjesët e territorit, është plani policor. Edhe Drejtoria rajonale e veriut i ka ndërmarrë masat edhe i ka detyrat konkrete konform planit sa i përket zgjedhjeve. Në veri do të kemi bashkëpunim dhe mbështetje nga EULEX dhe KFOR”, bëri të ditur Brahim Sadriu.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





