

Tiranë, 2 nëntor 2013, NOA.al- Këshilli i Lartë i Drejtësisë nën drejtimin e nënkryetarit Elvis Cefa, ka organizuar një takim me rastin e fillimit të funksionimit të Gjykatës Administrative, ditën e hënë më 4 nëntor.
Në fjalën e tij Cefa tha se dita e hënë shënon një erë të re në drejtësinë shqiptare, për të cilën theksoi se kjo gjykatë shërben si garanci e shtuar për publikun në marrëdhëniet me administratën shtetërore.
“Kjo gjykatë synon mbrojtjen juridike të të drejtave të subjekteve që mund të cenohen si pasojë e ushtrimit ose jo të funksioneve të administratës publike. Nga dita e hënë çdo qytetar do të ketë një mundësi më shumë për tu ndihmuar nga kjo gjykatë”, u shpreh Cefa, duke nënvizuar vullnetin për të vijuar reformat.
Siç raporton Noa.al në mbledhjen e pak ditëve më parë Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi delegimin e përkohshëm të disa gjyqtarëve në pozicionin e kryetarit të gjykatave Administrative të Shkallës së Parë, deri në zgjedhjen përfundimtare të kryetarëve të këtyre gjykatave, këto gjyqtarë:
– Në gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër, zotin Ramiz Lala.
– Në gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, zotin Astrit Shema.
– Në gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Korçë, zotin Sokol Ibi.
– Në gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës, zotin Genci Sinjari.
– Në gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, zonjën Valbona Durraj
– Në gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, zotin Eriol Roshi
– Në gjykatën Administrative të Apelit, zotin Kastriot Selita./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





