Transmetuar më 01-11-2013, 15:36

Prezenca jote këtu për ta verifikuar në vend gjithë këtë kopil’llëk është një provë më tepër për rëndësinë e Doktoraturës time. Komunizmi dhe komunistët ishin mish i huaj për këtë vend. Gjyshi yt ishte produkt autentik i mjedisit. Në marrëdhënien e fshatit me Beun, gjithçka ishte e natyrshme, e vetvetishme

Nga Edison Ypi

As pes’ minuta muhabet me një përmetar, kur përmetari tha,

-U, po ti qenke nipi i Beut. -E njeh ti gjyshin tim? -Fije për fije. S’ka njeri në ato anë të mos e njohë gjyshin tënd. Ishte serioz, autoritar, i drejtë, fjala e Tij s’bëhej dysh. Për një vizitë verifikuese mbi gjyshin dhe lavdinë e tij, që të nesërmen, drejt e tek "Rrapi i Pacomitit". I pari që kaloi andejpari, një mesoburrë me një shall të madh rreth qafës dhe një hundë të madhe sa një kalli misri që i rridhte. -Di gjë ti për gjyshin tim? -Unë jam disa fshatra më tutje. Por për gjyshin tënd di gjithçka. Gjyshin tënd këtu e njohin edhe retë e qiellit, edhe dëbora mbi Nëmërçkë, edhe zajet e Vjosës. Gruaja e parë i doli shterpë. Pa e larguar të parën, të dytën e mori edhe atë "Të sërës", bijë Beu në Skrapar, në Veleshnjë. Më vonë mori edhe një grua të tretë. Por e mbajti pak. Se e thirri babai i Teqesë së Alipostivanit, i tha; "Bej, nuk është mirë". Dhe Beu j’u bind Babait, e largoi. -Sa mirë e mbajtke ment Beun. Po kryetarin e kooperativës, sekretarin e partisë, operativin e zonës, i mban mend ti ata? -Mos m’i kujto ata mutër. Çfarë tu mbaj mend unë atyre haleve? A do ta dish një gjë? -Po. -Unë jam kopil i beut, gjyshit tënd. Tjetër kalimtar, me kosore në sup. -Mos më pyet, si e pyete atë tjetrin, pse e mbajmë mend Beun dhe kemi harruar gjithçka tjetër. Unë kam qenë kryetar këshilli, domethënë njëri prej të harruarve. Unë kam harruar veten. Mirë kanë bërë që më kanë harruar të tjerët. Çfarë të mbajnë mend prej meje, pse të më kujtojnë mua, edhe unë një kopil që Beu më bëri me një hyzmeqare jam. Një i moshuar me njërin sy prej qelqi. Thotë se është plot 81 vjeç. Mban mend mirë Beun. Sa tokë, sa bagëti ka pasur. Shton se gjyshi im ishte shkolluar në Stamboll. Fliste dhe shkruante, Shqip po se po, por edhe turqisht. Vishej sipas modës europiane me frak dhe kapele republikë. Kostumet i qepte në Gjirokastër dhe Selanik. Nderonte Rilindasit. Posaçërisht Naimin. Kishte respekt të madh për gjërat e shkruara, dokumentet e ndryshme, sidomos ato të pronësisë. Ishte sevdalli’, qejfli femrash. Kur erdhi Italia, vuri duart në kokë, ra mbi mangall duke shqiptuar fjalët e paharruara; "Bo-bo, ramë në dorë të fukarajt". Në do ta dish edhe unë një kopil i beut jam. Kalon një Zonjë. Zonja thotë se është mësuese. Dhe vazhdon; Beun këtej e kujtojnë sikur të ishte ende gjallë, sikur ka vajtur diku dhe pritet të vijë. Beu ishte Don Juan-i i Luginës së Vjosës. Plotësonte më së miri dëshirat e fshatarkave. Njëra nga pasojat e këtyre dëshirave jam vetë unë që jam njëra nga kopilet e Beut. Komunistat nuk i kapën dot rekordet e Beut në Dashuri. Komunistat ishin të mangët në këtë drejtim. Pengoheshin nga parimet e marksizëm-leninizmit në bërjen e seksit. Kopilet si unë, për aq kontribut sa kanë dhënë, janë prezente nëpër këngë. Ja dy vargje të një kënge të famshme, Çup’ e Veli Beut me nishan në ballë, Ç’e gënjeu kopilja, e nxori në shkallë. Një djalë i ri me biçikletë. -Hë mo, di gjë ti për Beun, gjyshin tim? -Ku më gjete?! Të kam zili. Ah të isha dhe unë nip Beu. Po ç’e do që s’jam nip beu por kopil beu. Të gjithë ne këtej kopilat e Beut jemi. Madje unë s’pata fatin të jem tamam kopil beu. Babai im dhe nëna ime janë kopil Beu dhe kopile Beu. Në këto rrethana unë s’mund të jem kopil i thjeshtë por stërkopil. Unë stërkopili kam mbaruar në Amerikë për Etnopsikologji. Po bëj Doktoraturën në Kembrixh. Temën e kam për Bejlerllëkun dhe kopil’llëkun, jetën dhe veprën e gjyshit tënd si Bej dhe times si stërkopil. Një kapitull do jetë "Pse nuk e harron kopili Beun". Më mahnit gjyshi yt i lavdishëm. Unë jetoj jashtë. Këtu jam për të mbledhur material për Doktoraturën. Prezenca jote këtu për ta verifikuar në vend gjithë këtë kopil’llëk është një provë më tepër për rëndësinë e Doktoraturës time. Komunizmi dhe komunistët ishin mish i huaj për këtë vend. Gjyshi yt ishte produkt autentik i mjedisit. Në marrëdhënien e fshatit me Beun, gjithçka ishte e natyrshme, e vetvetishme. Fshati dhe beu ekzistonin në një marrëdhënie simbiotike natyrale. Beu ishte si fshati, fshati ishte si Beu. Të gjithë bashkë, Bejlerët dhe kopilat, ishin si këta male, këto pyje. Kujtimi i gjyshit tënd madhështor i ka bërë hi e pluhur mijëra librat dhe filmat që komunistët bënë kundër tij. Komunistët nuk e kuptuan kurrë se sa më tepër e luftonin, aq më të pavdekshëm e bënin Beun. Jam krenar që jam stërkopil i gjyshit tënd. I jam futur me themel Bejlerllëkut dhe kopil’llëkut. Të qenët stërkopil më ka ndihmuar goxha. Unë e di, për shembull, se në kohën kur ti nipi i Beut nuk ishe as 10 vjeç, jo rrallë ndodhte që shtëpia jote dukej si OKB-ja në seancë plenare. Bejlereshat, me në krye më të fismen dhe më të kënduarën e tyre, nënën tënde, rrufisnin kafe dhe tymosnin duke folur për Zërin e Amerikës, Bashkimin Sovjetik, luftën e klasave, arrestime, internime, burgime, pushkatime, frikëra, emra, data, ndodhira, ilakara, Bejlerë, Teqe, Baba Teqeje, Dervishë, Myhypë, Qatipë, Poetë, Bejtexhinj, tregtarë, hyzmeqarë, kopila, kopile. Bejlereshat flisnin edhe për Beun, gjyshin tënd, ndaj të cilit, si ti nipi i tij, dhe unë stërkopili i tij, ndjehemi njëlloj falënderues që na ka sjellë në jetë. Për Beun thoshin se ishte "sevdalli'". Babai yt nuk merrte pjesë në këto seanca. Edhe ai Bej ishte. Por jo Bej përmetar, Bej kolonjar, dhe si i tillë e hidhte më lart. Babai yt fliste për Aristotelin, Arkimedin, Neronin, Monarkët e shquar, Shekspirin, Gëten, Tolstoin, Kolombin, Magelanin, Tomas Edisonin, Henri Fordin. Ti në një qoshe dëgjoje i përhumbur Bejlereshat. Një herë e pyete nënën; "Ç’domethënë "Bejlerllëk", "Sërë", "Sevdalli", "Diktaturë"? Ajo tu përgjigj me ca fjalë që ti i mbajte vëth në vesh për tërë jetën; "Sapo mbarove së lexuari Makbethin dhe nuk i di?!. Bejlerët dhe Bejlereshat janë si Dhëmbeli dhe Nëmërçka. Kopilat dhe kopileshat janë si ujët e Vjosës. Mos u habit se në këtë vizitë tek "Rrapi i Pacomitit" takove vetëm kopila, kopile, dhe mua stërkopilin. Bota është e Bejlerëve. Por ndodh ndonjëherë, që për t’i sjellë në vete Bejlerët, botën e marrin në dorë pjellat e tyre bastarde, kopilat, apo stërkopilat si unë. Ne kopilat dhe kopilet bënim ligjin në kohën e diktaturës. Prandaj s’gjen karar Shqipëria. Shqipëria nuk bëhet me kopila, bëhet me Bejlerë. Me gjithë çka ndodhur vitet e fundit, s’besoj se ka mbetur budalla pa e kuptuar. Tani dëgjo të them kryesoren. Kur të pyesin kush ta tha, thuaju ma tha një stërkopil nga Përmeti; Përderisa koha nuk ka as fillim e as mbarim, për Bejlerët nuk është kurrë as herët as vonë. /Gazeta Mapo/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit