

AMC ka kontribuar në rikonstruksionin dhe sistemimin e disa prej ambienteve të Shkollës Speciale për fëmijët me prapambetje të lehta mendore në Vlorë. Ky investim mundësohet prej punës vullnetare të punonjësve të AMC, në kuadër të projektit të tyre “Realizo një ëndërr”, që u vjen për të tretin vit radhazi në ndihmë institucioneve publike të cilat kujdesen për grupe të caktuara të shoqërisë.
Ndër pjesët kryesore ku AMC ka ndërhyrë ishin: rinovimi i plotë i fasadës së ndërtesës, izolimi përfundimtar i tarracës për të shmangur lagështinë në klasa, krijimi i një hapësire të gjelbër brenda institucionit, riparimi i dyshemesë, ribërja nga e para e të gjitha instalimeve elektrike, ndërtimi i një laboratori, si dhe ringritja e këndit sportiv të shkollës.
Sipas drejtueses së këtij institucioni, zonja Albana Petriti, ndihma e AMC ka përmirësuar mjaft procesin mësimor të fëmijëve, duke rritur gjithashtu cilësinë dhe komoditetin e mësuesve dhe nxënësve gjatë orëve të mësimit.
“Në emër të të gjithë stafit arsimor si dhe nxënësve, dua të falënderoj AMC-në, e cila bëri të mundur ndryshimin total të pamjes së shkollës dhe mjediset e saj janë bërë më funksionale për nxënësit. E përkthyer në terma më konkrete, është bërë një riparim total i fasadës dhe më në fund kemi një tabelë me emrin e shkollës siç duhet të ishte prej kohësh. Ndër problemet kryesore që kjo shkollë vuante prej kohësh, kanë qenë lagështira në klasa dhe parketet, të cilat përbënin një pengesë serioze për të gjithë ne. Këto të fundit, jo vetëm që nuk ishin funksionale, por edhe përbënin pengesa për fëmijët me aftësi të kufizuar, disa prej të cilëve përdorin edhe karroca. Një falënderim shumë i madh u shkon punonjësve të AMC, të cilët në mënyrë vullnetare dhe në kohë rekord bënë të mundur që t’i ndryshojnë faqen kësaj shkolle. Jam e kënaqur që flas në kohën e shkuar për të gjitha problemet emergjente që kjo shkollë ka pasur”, tha zonja Petriti.
Shkolla speciale e qytetit të Vlorës frekuentohet çdo vit nga mesatarisht 80 nxënës me aftësi të kufizuar, me handikap fizik, mendor dhe multi-handikap. Ky institucion ndodhet në një ambient të përshtatur dhe si rrjedhojë kushtet nuk ishin të duhura për mësimdhënien e fëmijëve me aftësi të kufizuar. AMC mbështet në mënyrë të vazhdueshme institucionet publike, të cilat u vijnë në ndihmë grupeve në nevojë. Më shumë mbi risitë e vazhdueshme të AMC gjeni këtu.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





