Transmetuar më 13-10-2013, 21:54

Një ndër kanalet që nisi udhë bashkë me hapjen e platformës televizive me pagesë Digitalb, ishte Digi Plus. Ky kanal, fillimisht transmetonte që nga viti 2004, filma shqiptarë, seriale të njohur ndërkombëtarë, koncerte dhe spektakle të ndryshme.

Nga muaji tetor, ky kanal nuk ekziston më. Digitalb vendosi ta mbyllë përfundimisht.

Njëkohësisht me Digi Plus, Digitalb ka vendosur të mbyllë edhe kanalin T. Ky kanal tematik kishte lindur rreth tre vjet më parë dhe jepte gjatë gjithë ditës programe shqip.

Pas shkrirjes së këtyre dy kanaleve, Digitalb nga data 7 tetor ka hedhur në transmetim kanalin T-Plus.

Ky kanal, është ndarë në dy pjesë, gjatë ditës filma shqiptarë në vite dhe gjatë natës, seriale të huaj.

E mira e këtij kanali, është se ritransmetimi nuk është më tre herë në ditë sikurse ndodhte me Digi Plus dhe T e me shumicën e kanaleve aktualë të Digitalb, por një ose dy herë në 24 orë.

Këtë e pranon edhe Digitalb që pohon: “Kanali i ri T-Plus do të ofrojë zhanre të ndryshme programesh në orare të ndryshme të ditës. Programi që jepet në të ka me tepër rëndësi. Tashmë që këto dy kanalet janë bashkuar janë ulur përsëritjet e programeve dhe shtohet larmia e të rejat”.

Por reagimet e shikuesve, sidomos atyre që jetojnë jashtë vendit, janë të ashpra. Ata vlerësojnë se mbyllja e kanalit që jepte 100 për qind program shqip, dëmton zhvillimin e shqipes në diasporë dhe emigracion.

Të tjerë vlerësojnë se mbyllja e Digi Plus, i privon nga disa seriale të huaj që i shihnin me endje.

Të tjerë po ashtu, në faqen zyrtare në Facebook të Digitalb, ankohen se numri i kanaleve reduktohet, por jo pagesa e përmuajshme e abonimit.

Pyetjes së vazhdueshme të shikuesve abonentë, pse u shkrinë dy kanalet, Digitalb u jep këtë përgjigje: “Programi i kanalit te ri do te synoje freskimin e te dyja kanaleve duke krijuar një variacion te programeve shqiptare me serialin dhe show-n; emisione te reja shqiptare për gatimin me reality te llojit cooking/décor/weeding; sitkomet shqiptare me ato te huaja; traditën me te renë”. Batutat e abonentëve të pakënaqur ishin të shumta, si për shembull: “Po meçe qenka kështu atëherë bashkoni dhe My Music me MusicAl”.

Prej rreth një jave që u shkrinë dy kanalet, ankesat janë të shumta dhe kërkesa, e njëjtë: “Riktheni dy kanalet e mëparshme”.

Në fakt komentet dhe vlerësimet e lexuesve, lidhen edhe me numrin e kanaleve që vazhdon të jetë i ulët duke mos pësuar prej shumë vitesh rritje, ndonëse Digitalb ka hyrë në vitin e dhjetë të transmetimit.

Ata sugjerojnë se në vend që të shkrihen kanalet tematike të rritet numri i tyre. Kësaj pyetjeje, Digitalb i jep këtë përgjigje zyrtare: “Digitalb punon në vazhdimësi për shtimin e kanaleve te reja, por këto janë plane afatgjata”.

Sakaq, problem më vete paraqitet nga shikuesit abonentë edhe fakti se platforma tokësore ka numër më të ulët kanalesh nga ajo satelitore.

Për më tepër, shihet paradoksal fakti se Top Channel HD nuk shikohet në platformën tokësore Digitalb por vetëm në atë satelitore. I habitshëm konsiderohet fakti që Digitalb prej kohësh shet dekoder HD, ku gjithsesi Top Channel HD nuk mund të shikohet. /a.a/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit