Transmetuar më 11-10-2013, 23:51

Pirro Dollani, përkthyes i të vetmes vepër në shqip të autores kanadeze Alice Munro, që dje u shpall fituese e çmimit Nobel në letërsi për vitin 2013 tregoi sot se si është njohur me tregimin “Virgjëresha shqiptare”, i cili në vitin 2005 është botuar në gjuhën tonë nga një shtëpi botuese private.

Në të njëjtin vit, Pirro Dollani ka përkthyer nga shqipja në anglisht novelën e Ismail Kadaresë “Ditë kafenesh”, e cila u publikua në SHBA në një botim shumë luksoz. Përkthyesi që nga viti 1994 jeton në Las Vegas dhe punon në Institutin e Filmit pranë Universitetit të Nevadës.

Dollani duke folur me gazetarin e ATSH, Gëzim Kabashi tha se është njohur rastësisht me veprën e shkrimtares kanadeze. “Ishin Krishtlindjet e vitit 1999 kur një miku im më dhuroi një vëllim të madh me tregime të shkrimtarit irlandez William Trevor”-thotë Dollani.

I interesuar më tej për Trevorin ai gjeti në parathënien e një prej librave të Trevorit citimin: “ai është shkrimtari i shkrimtarëve”. “Autoja e parathënies ishte Alice Munro”-dëshmon përkthyesi, duke shtuar se këto fjalë e kanë shtyrë të kërkojë në bibliotekë “Tregime të Zgjedhura” të Munrosë, i cili kishte brenda edhe “Virgjëresha shqiptare”.

“Tregimi më befasoi me atë alternim të fantazisë, me faktin si edhe me strukturën kompozicionale”- tregon Pirro Dollani. Sipas tij, brenda një strukture janë të ndërthurura dy tregime dhe dy rrëfimtarë, pa përfshirë edhe zërin e autores.

Dollani tregon se “Virgjëresha shqiptare” u botua së pari në shtypin periodik letrar. “Më vonë u përfshi në përmbledhjen me tregime “Sekrete të Hapura”, 1994, dhe më pas në përmbledhjen me “Tregime të Zgjedhura”, 1996, vëllimi që rastësia e solli në dorën time”-thotë Pirro.

Në një intervistë ajo shprehej kështu për këtë tregim: “Dikur kam shkruar një tregim rreth Shqipërisë të cilin e kam shumë të preferuar.”

Duke iu përgjigjur pyetjes se si do të ndjeheshe me një fitues shqiptar të Nobelit për letërsinë, Dollani, që ka përkthyer edhe Kadarenë në anglisht në vitin 2005 thotë se Ismail Kadareja është padyshim njëri nga romancierët më të mirë në botë. “Ai nuk pret “kurorën e Nobelit” që të bëhet i njohur, ai është i tillë!”-thotë përkthyesi, Pirro Dollani.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit