

Tiranë, 30 shtator 2013, NOA.al- Partia Demokratike ka reaguar ditën e sotme lidhur me emërimet dhe shkarkimet e bëra nga Ministri i Ekonomisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.
Nëpërmjet zëdhënëses Laura Vorpsi theksohet se emërimi i sotëm i drejtorit të Albpetrol është shembulli i skemës që ka Kryeministri Rama për të vënë asetet kombëtare, shërbimet, dhe pasuritë e shqiptarëve në duart e klanit të tij privat.
Sipas zëdhëses së demokratëve, drejtori i ri i Albpetrol njihet si personi më i afërt dhe i besuar i Koço Kokëdhimës, që ka drejtuar për vite me radhë firmat e tij private.
“Pa kaluar dy javë nga marrja e detyrës, Rama po shpërblen botuesin, mikun dhe ideologun e tij, Kokëdhima. Ky është një emërim në konflikt të pastër interesi. Kjo pasi z. Endri Puka do të jetë titullari i një institucioni me të cilin z. Kokëdhima ka marrëdhënie biznesi dhe debit-krediti, dhe Puka deri më sot ka qenë administratori i firmave të z. Kokëdhima. Me emërimin e sotëm, mesazhi i z. Rama për shqiptarët është ky; unë do të qeveris si të dua vetë, me kë të dua vetë. Do të qeveris për të shpërblyer miqtë dhe klientët mi. Do të qeveris pa respektuar ligjet dhe normat publike”, shprehet Vorpsi, citon Noa.al.
Në vijim shtohet se u deshën më pak se dy javë për të vërtetuar denoncimet e Partisë Demokratike mbi modelin Rama, si dhe u deshën më pak se dy javë për të parë se në duart e kujt ka rënë qeveria e vendit.
Vorpsi e mbylli fjalën e saj duke thënë, “Z. Kokëdhima, e gëzofsh Albpetrolin!”. /a.y/noa.al/
Shkarkohen drejtorët e KESH, OST dhe Albpetrol, firmosen emërimet e reja
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





